Kur tragjedia e një nëne shndërrohet në një mrekulli për një nënë tjetër

 Kur tragjedia e një nëne shndërrohet në një mrekulli për një nënë tjetër

Qëkur djali i saj lindi, kjo grua priste për një mrekulli. I biri lindi me një problem në zemër dhe e vetmja zgjidhje mbetej transplanti.

Derisa dita e shumëpritur erdhi. Familja e Karlosit, 7 vjeçar, thirret për t’u njoftuar se është gjetur dhuruesi për vogëlushin. I mituri hyn në operim dhe kryen me sukses transplantin. Familjes Rolon i ndodh mrekullia pas 4 vitesh pritje.

Kjo ngjarje ndodhi në prillin e vitit të kaluar, ndërsa fundjavën që lamë pas, familja e 7 vjeçarit më në fund udhëtoi drejt vendit që bëri të mundur mrekullinë për djalin.

7 vjeçari niset me familjen e tij për në Orlando (SHBA), atje ku i pret një tjetër familje , e në veçanti një nënë e cila humbi gjithçka.

Kjo nënë quhet Gissele Rivera dhe vitin që shkoi ajo humbi djalin në një aksident automobilistik. Kjo grua ishte personi që vendosi që zemra e të birit të dhurohej për një tjetër fëmijë.

Tragjedia e kësaj gruaje vitin e kaluar dhe gjesti i saj human, ishin arsyeja se përse ky 7 vjeçar sot është gjallë dhe me shëndet të plotë.

Nëna e Karlosit kujton se sa shumë herë e kishte menduar se çfarë do të thoshte kur të ishte përballë me gruan që i shpëtoi jetën të birit.

“Nuk besoj se do të kem ndonjëherë fjalë që të mund të përmbledhin gjithëçka ndiej”-tha ajo për median amerikane.

“Nuk dija shumë për dhurimin e organeve… gjatë bisedave me tim atë dhe familjen, dola në përfundimin se dhurimi i zemrës së djalit, do të ishte një dhuratë dashurie”-thotë nëna e Shonit, vogëlushit që humbi jetën vitin e kaluar.

Dhe takimi mes këtyre dy familjeve ishte emocionues, teksa në median amerikane janë publikuar dhe momentet kur nëna e të ndjerit, dëgjon zemrën e të birit në kraharorin e 7 vjeçarit.

“Është e dhimbshme dhe e bukur… por unë uroj që Karlosi të jetë gjithçka zemra e tij dëshiron dhe më shumë”-tha nëna e të ndjerit.