Plagosi me thikë 5 persona, gjykata lë në burg Rudolf Nikollën! Kjo është biseda e tij me gjykatësin

 Plagosi me thikë 5 persona, gjykata lë në burg Rudolf Nikollën! Kjo është biseda e tij me gjykatësin

Rudolf Nikolla ka dalë këtë të enjte përballë trupës gjykuese, tre ditë pasi plagosi me thikë 5 persona pranë xhamisë “Dine Hoxha” në Rrugën e Kavajës.

34 vjeçari është shprehur përpara gjykatësit se e përndiqnin prej një viti. Gjykatësi e pyet nëse ka ka qenë i hospitalizuar ndonjëherë për çështje të shëndetit mendor dhe nëse merrte barna.

Nikolla është përgjigjur se ka qenë i shtruar në spital dhe se merrte mjekim, ndërsa prej disa kohësh nuk i pinte më ilaçet. Ai vijoi të insistonte se e përndiqnin dhe nëse gjykata do t’i paraqiste personat, ai do t’i njihte me fytyrë ata që e kanë përndjekur.

“Nëse i paraqisni këtu, i njoh me fytyrë ata që më kanë ndjekur. Më kanë ndjekur dhe përndjekur u bë gati një vit. Nuk jam ndjerë mirë për këtë gjë. Kjo gjë ka qenë e vazhdueshme. Unë nuk është se desha të bëj atë gjë që bëra.“-tha ai.

Biseda me gjyqtarin:

Gjykatësi: Në spital ke qenë?

Nikolla: Kam qenë

Gjykatësi: Ke marrë mjekime?

Nikolla: Po

Gjykatësi: Sa ke ndenjur në spital?

Nikolla: Mbi tre javë herën e fundit

Gjykatësi: I ke pirë ilaçet rregullisht?

Nikolla: Kisha raste që i harroja.

Gjykatësi: Atë ditë i kishe pirë ilaçet?

Nikolla: Jo. Kisha kohë

Gjykatësi: Kush kujdesej për t’i dhënë ilaçet?

Nikolla: Vetë unë

Nikolla: Kam qenë në Tiranë, kurse familjarët janë në Klos. Vetë e them se më përndjekin

Në përfundim të seancës, gjykatësi vendosi të japë masën e arrestit me burg për 34 vjeçarin, ndërsa prokuroria ka ngritur akuzën për “vepra për qëllime terroriste”.

Tre ditë më parë Rudolf Nikolla sulmoi me thikë disa persona pranë dhe në brendësi të ambienteve të xhamisë “Dine Hoxha”. 5 persona u lënduan nga sulmi i tij, ndërsa kanë qenë besimtarët muslimanë ata që kanë mundur ta neutralizojnë atë deri në ardhjen e forcave të policisë. Një prej të lënduarve gjatë sulmit, tregoi dhe detajet e ngjarjes, duke shpjeguar dinamikën.