“Ma, nëse i ha perimet a do më rritet sërish këmba?” Historia e një vajze nga Siria

 “Ma, nëse i ha perimet a do më rritet sërish këmba?” Historia e një vajze nga Siria

Siri… Maram ishte veçse 4 vjeçe kur humbi këmbën.

Mrekullisht i shpëtoi vdekjes, por përgjatë gjithë jetës, me vete do të mbajë një barrë të madhe. Nëna e Maramit kujton fjalët e të bijës në atë kohë.

“Nëse i ha të gjitha perimet, a do të më rritet sërish këmba?-pyeste vogëlushja të ëmën.

“(Maram) Ishte shumë e vogël për të kuptuar atë që i kishte ndodhur… mundohesha që të sillesha e qetë kur ajo më pyeste”-kujton më tutje nëna e vogëlushes.

Tashmë disa vite kanë kaluar dhe Maram po ndjek shkollën. UNICEF (i cili publikoi historinë e saj) e ndihmoi Maram me protezat në qendrën e saj në Aleppo dhe tashmë ajo është shumë e lumtur që mund të shkojë në shkollë.

Fotoja e mëposhtme portretizon Aminën. Ajo është 11 vjeçe. Si shumë fëmijë në Siri, Aminah jetoi nën hijen e rëndë të luftës, ndërsa i ati dhe vëllai i saj i madh ndërruan jetë si pasojë e bombardimeve në Damask. Aminah është një ndër shumë fëmijët sirianë që përgjatë gjithë jetës së tyre, nuk kanë njohur gjë tjetër veçse luftës.

Çfarë po ndodh me fëmijët në Siri

UNICEF i ka kushtuar një artikull gjendjes dhe asaj që po ndodh me mijëra fëmijë sirianë, teksa tashmë po bëhen afro 11 vite luftë në Siri.

Vetëm dje tre fëmijë u raportuan të vdekur si pasojë e një shpërthimi në Aleppo. 11 vite pas nisjes së luftës në Siri, dhuna, zhvendosjet e popullatës e mungesa e aksesit në shërbimet jetësore, vijojnë të pengojnë jetët e fëmijëve sirianë.

Vitin që lamë pas, afro 900 fëmijë nga Siria humbën jetën ose u plagosën. Kjo e sjell numrin total të fëmijëve të vrarë apo plagosur në 13 mijë, që nga nisja e konfliktit atje.

Në vitin 2021 minat, predhat e pashpërthyera dhe të tjera ‘mbetje’ të luftës, ishin ndër shkaqet kryesore të vdekjeve e plagosjeve të fëmijëve. Shumë prej fëmijëve që i shpëtuan vdekjes, mbetën me dëmtime që do t’i mbajnë përgjatë gjithë jetës së tyre.

“Afro 5 milionë fëmijë lindën në Siri që nga viti 2011. Ata nuk kanë njohur asgjë veçse luftës dhe konfliktit. Në shumë pjesë të Sirisë, fëmijët jetojnë në frikë prej minave apo mbetjeve raketore të luftës”-shpjegoi përfaqësuesi i UNICEF në siri, Bo Viktor Nylund.

E veçse mijëra viktimave, fëmijët që jetojnë në Siri  po rriten me plagë të thella psikologjike. Vitin e kaluar, një e treta e fëmijëve në Siri shfaqen shenja të stresit psikologjik, përfshi këtu mërzinë, ankthin dhe vështirësinë për të fjetur.

Teksa UNICEF nuk ka shifra të sakta për fëmijët të mbetur me aftësi të kufizuara, është evidente se ata mbajnë mbi shpinë një barrë të dyfishtë kur fjala vjen tek dhuna, kërcënimet, risku i abuzimit apo pamundësia për t’u shkolluar. Paaftësia për t’ju larguar një momenti apo zone të rrezikshme e vështirëson edhe më tutje jetën e tyre fëmijëve.

Për familjet me fëmijë të mbetur me aftësi të kufizuara, jetesa është bërë edhe më e rëndë, veç faktit se punësimi është i limituar, çmimet janë rritur e ka mungesa të thella të shërbimeve bazike.

Burimi: UNICEF në Siri/ Përshtati me disa shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info