Me mamanë 80 vjeç e djalin me aftësi të kufizuara, rrëfimi i një nëne nga Kievi: Korridori është ‘bunkieri’ ynë

 Me mamanë 80 vjeç e djalin me aftësi të kufizuara, rrëfimi i një nëne nga Kievi: Korridori është ‘bunkieri’ ynë

Koha për të ka ndaluar që javën e kaluar, kur në agim forcat ruse nisën sulmin në Ukrainë. Prej një jave tashmë, ajo ka mbetur e bllokuar në shtëpi, në Kiev. Tania quhet dhe është nëna e një djali me sindromin Down.

Situata është dramatike. Ka mbetur e izoluar në shtëpinë e saj dhe në pamundësi për të gjetur një strehë më të përshtatshme për të birin, ka vendosur që të kthejë korridorin e shtëpisë në një ‘bunkier’ për të shpëtuar veten, djalin e një të moshuar në të 80-tat, nënën e saj.

Tania dha një intervistë për agjensinë italiane të lajmeve ANSA, ku tregoi momentet e vështira që po kalon. Djali i saj, Levi, e ka plotësisht të pamundur që të dalë jashtë shtëpisë, atje ku të pret tashmë vetëm kaosi, zhurma e bombardimeve, paniku i njerëzve apo sirenat që paralajmërojnë të tjera raketa në qiell.

“Tani jemi në luftë të plotë, situata sa vjen e përkeqësohet dhe shpërthimet po afrohen, tani mendoj se nuk janë më larg se 20 km, por qyteti po reziston. Kemi frikë, shpresoj ta ndalojnë këtë luftë absurde…

Djali im, si shumë persona të tjerë me aftësi të kufizuara po përjeton një makth. Për fëmijët me sindromën Down, rutina e përditshme është e rëndësishme dhe i jep sigurinë. Tani bota e tij është shembur.

Jetojmë të burgosur në shtëpi, sepse është e pamundur të shkosh në strehimore. Për të do të ishte shumë e vështirë, ai nuk do ta duronte atë situatë, nuk do ta përballoja dot… Ai vazhdimisht më pyet se kur do të përfundojë dhe kur do të mund të shohë përsëri miqtë e tij. Mezi pret 16 marsin, ditëlindjen e tij të 18-të. Kam frikë t’i them se deri më sot, nuk e di se ku do të jemi atë ditë”-tregon nëna për median italiane.

E pyetur sesi ia ka dalë me ushqimet deri më tani, Tania shpjegon se një ditë përpara luftës, ajo u furnizua me ushqime.

Jemi me fat, pavarësisht gjithçkaje. Një ditë para luftës, miqtë e mi evropianë më paralajmëruan të blej ushqime e rezerva, sepse diçka e tmerrshme mund të ndodhte. Kështu bëra. Ne kemi ende ushqim në shtëpi, por nuk e di se si do t’ja dalim. Tashmë supermarketet janë pothuajse bosh, nuk ka më bukë”,tregon gruaja, e cila më tutje tregon se një pjesë të korridorit e ka ‘përforcuar’ me sa ka patur mundësi për të ruajtur djalin e nënën.

“Kam rregulluar një cep të korridorit duke e bërë një lloj bunkeri. Mblodha batanije dhe mbylla gjithçka me shirit ngjitës, duke eliminuar të gjitha objektet e rrezikshme. Nuk e di nëse do të jetë e mjaftueshme, por strehimorja për ne është shumë e largët aq edhe e paimagjinueshme”.

Siç raporton ANSA, rasti i kësaj nëne me djalin e saj nuk janë të izoluara, pasi në Ukrainë ka të paktën 2.7 milionë njerëz me aftësi të kufizuara.

Tani është e vetme me të birin, pasi i shoqi i ka ndërruar jetë.

Burri im ka vdekur dhe ja ku jam vetëm, por shpresoj të arrij të nxjerr Levin dhe nënën time nga Kievi. Nuk e di si do ta bëj, për ne i vetmi mjet i mundshëm do të ishte makina… Shpresoj t’ja dal”, përfundon ajo.