Misteri i vdekjes së 4 turistëve rusë, ushtria nis eksperimentin hetimor

 Misteri i vdekjes së 4 turistëve rusë, ushtria nis eksperimentin hetimor

Ushtria Shqiptare nisi mëngjesin e kësaj të premte një eksperiment hetimor në hotelin në Qerret, atje ku disa javë më parë humbën jetën 4 turistë rusë.

Grupi hetimor së bashku me ekspertë të strukturës ushtarake, kanë rikrijuar kushtet në spa-në e hotelit në katin e nëndheshëm, për të dalë në konkluzione nëse kemi të bëjmë me asfiksinë apo me pistën e një vrasje të mirfilltë dhe të mirmenduar me agjentë të tjerë kimikë.

Pistat për vdekjen e turistëve rusë vijojnë të jetë të shumta e të ndryshme. Përfshirja e strukturës së ushtrisë dhe e bërjes së një eksperimenti hetimor, mund të sjellë zbërthimin e ngjarjes misterioze. Përgjigja e eksperimentit pritet të dalë në ditët në vijim.

Deri më tani shkaku që solli vdekjen e çiftit Burenkova me të bijën e të fejuarin e saj, mbetet ende mister. Kujtojmë se përgjigja e ekspertizës mjekoligjore hodhi dyshimet se turistët e humbën jetën nga asfiksia. Një ndër pistat e mundshme u diskutua klori në pishinë apo kaldaja në spa, por deri më tani lidhja shkakësore nuk është vërtetuar.