“Shpëtuat 3 fëmijët e djalit tim të ndjerë, i nxorrët në dritë” Çfarë bën bamirësia e shqiptarëve

 “Shpëtuat 3 fëmijët e djalit tim të ndjerë, i nxorrët në dritë” Çfarë bën bamirësia e shqiptarëve

“Shtëpia atje ishte e shembur, e rrënuar. Spital afër jo, pazar jo, shkollë jo, doktorë jo, xhade jo… shumë kemi vuajtur atje, shumë.”

Këto janë fjalët e një të moshuare e cila prej kohësh ka humbur të birin. Djali i ndjerë la pas tre fëmijë të vegjël së bashku me të shoqen, Brunildën. Familja jetonte në një fshat të largët (Kroi i madh) në Krujë. Banesa e këtyre grave e tre fëmijëve fare të vegjël, po u shembej mbi kokë.

“Në krahasim me ku ishim është tërësisht ndryshe. Atje nuk kishte asgjë. Nuk kishte jetë për fëmijët, mos i ndodhshin kurrkujt ato që provuam ne atje.”-kujton Brunilda, nëna e tre fëmijëve.

“Shqiptarët për Shqiptarët” përcollën historinë e trishtë  dhe rrëfimin e Brunildës, e cila mezi mbante me ushqim tre fëmijët.

Por do të ishte zemra e madhe e një bamirësi shqiptar, ajo që do t’i nxirrte në dritë këta fëmijë, nënën dhe të moshuarën.

Ishte një ndër momentet më prekëse e më përlotëse, kur Brunilda hidhej nga gëzimi, kur pa Fatma Naçin e Meri Bejlerin, të cilat erdhën për t’i dhënë lajmin e bukur.

“Kur e pashë që erdhët, nuk iu besova. Surprizë shumë e madhe, shyqyr që nuk më pushoi zemra. Kam qenë shumë e gëzuar, duke fluturuar… Kur e pashë vetë me sytë e mi, kur hymë në shtëpinë e re. U hutuam, nuk e imagjonoja dot se ishin të mia. Nga gëzimi nuk kemi ngrënë e pirë, rrotulloheshim nëpër shtëpi, nuk na besohej se ishte shtëpia jonë.”-tregoi Brunilda.

Kanë kaluar disa muaj tashmë që Brunilda, fëmijët dhe gjyshja e moshuar ndodhen në shtëpinë e tyre të re. Një gëzim i madh të shohësh fëmijët teksa luajnë, buzëqeshin dhe mund të shkollohen.

“Fëmijët janë më të integruar, shkojnë në kopësht, kanë çdo gjë. Shumë më të zhvilluar se atje, goca psh ka mësuar shumë mirë, atje nuk dinte asgjë, as sa vjeç ishte…

Falenderoj përzemërsisht zotërin Satki Gafuri që bëri të mundur blerjen e kësaj banese, ndryshimin e jetës për fëmijët e mi. Nga ana ekonomike jemi shumë mirë, zotëria e ka dërguar pensionin çdo muaj, e madje edhe më tepër.”-tha Brunilda.

Por fjalët më të ndjera i thotë e moshuara e familjes, një nënë që jeton pa të birin…

“Shtëpia ishte e shembur, e rrënuar. Spital afër jo, Pazar jo, shkollë jo, doktorë jo, xhade jo… shumë kemi vuajtur atje, shumë. Kur erdhëm këtu, na bëtë të gjithë të lumtur. Situata ka ndryshuar shumë, krahasuar me atje, në mal. Të gjitha i kemi, krejt, asgjë nuk na mungon.

Faleminderit prej jush, prej të gjithëve. Më keni qit në dritë kalamajtë e djalit, jetimat, në dritë… edhe nënën 75 vjeçe. Zoti ju ruajtë e ju bekoftë, sepse vetëm ju më keni ndihmuar. Ju dolët më tepër se djali im”