Misteri në SHBA, afro 100 studentë të të njëjtit gjimnaz, rezultojnë të prekur me sëmundje të rëndë në tru

 Misteri në SHBA, afro 100 studentë të të njëjtit gjimnaz, rezultojnë të prekur me sëmundje të rëndë në tru

Një i mbijetuar nga kanceri është betuar për shpirtin e motrës së tij të ndjerë, se do t’i shkojë deri në fund zbulimit të arsyes se përse 94 ish- studentë e punonjës të një gjimnazi në New Jersey, rezultuan se janë të prekur njëlloj nga një kancer i rrallë në kokë.

Al Lupiano me te shoqen

Al Lupiano, 50 vjeç, u diagnostifikua me kancerin e rrallë në tru 23 vite më parë. Fatmirësisht ai e mundi kancerin. Vitin e kaluar, lajmin se ishin prekur me kancer në tru e morën e shoqja e 50 vjeçarit dhe motra e tij e vogël. Të dyja gratë, njëlloj si 50 vjeçari, kishin qenë studente në të njëjtin gjimnaz.

Motra e 50 vjeçarit, Angela DeCillis

Motra e Alit, 44 vjeçe, ndërroi jetë në muajin shkurt të këtij viti. Ngjarja tragjike e bindi 50 vjeçarin se lidhja e vetme që të tre kishin, (gjimnazi) me siguri do të duhej të kishte lidhje me shfaqjen e sëmundjeve.

Ali hapi një grup në rrjetet social dhe për habinë e tij, zbuloi se nga i njëjti gjimnaz, studentë e punonjës të atij institucioni, ishin prekur apo kishin vdekur pikërisht nga sëmundja e kancerit në tru. Në këto kushte, 50 vjeçari u bind se shkaku i sëmundjeve do të gjendej tek gjimnazi “Colonia High School”.

Lajmi u mediatizua, ndërsa 50 vjeçari dha një intervistë për CBS në SHBA. Në më pak se 6 javë kërkime, Al Lupiano kishte gjetur 94 raste të personave që kishin qenë në gjimnaz (si nxënës apo punonjës) e që ishin prekur nga kanceri në tru.

Mbi këtë çështje tashmë ka nisur një hetim, ndërsa personi që mundi të bëjë lidhjen, Al Lupiano, tregoi se në shtratin e vdekjes së të motrës, i premtoi asaj se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje.

“Unë nuk do të ndaloj, derisa të kem përgjigjet, dua të zbardh të vërtetën”-shpjegoi 50 vjeçari.

Kryebashkiaku John McCormac shpjegoi se “mund të kemi një problem serioz këtu dhe qytetarët tanë kanë të drejtë të dinë nëse rrezikohen”

“Ne jemi të gjithë të shqetësuar dhe duam t’i shkojmë në fund kësaj çështje. Kjo dukshëm nuk është diçka normale”-shtoi kryebashkiaku.

Gjimnazi ka një kamp prej 28 akrash (11 hektarë). Puna ka nisur për të kryer analiza radiologjike, marrjen e kampionëve të ndryshëm e testimi i ajrit për prezencën e kimikateve që mund të sjellin sëmundje të tilla.

Zyrtare duke kryer analiza te dheut ne shkolle

Shumica e personave që Al Lupiano zbuloi se ishin me kancer, rezultojnë të kenë mbaruar gjimnazin nga viti 1975 deri në vitin 2000.

“Të gjesh diçka të tillë është një zbulim i rëndësishëm. Në raste normale, nëpër shkolla nuk gjen rrezatim (nga lëndë kimike-toksike) veçse nëse në atë zonë ka ndodhur diçka që ne nuk e dimë.”-shpjegoi Dr. Sumul Raval, një prej neuro-onkologëve më të mirë në New Jersey, raporton New York Post.

Tumori në kokë, i quajtur Glioblastoma, është një sëmundje mjaft e rrallë dhe agresive që përhapet shpejt në kokë.

Sipas Organizatës Amerikane të Kirurgëve Neurologë, glioblastoma ka një incidencë prej 3.21 për 100 mijë persona.

Burimi: New York Post/ Përshtati me shkurtime: Shqiptarëtpërshqiptarët.info