23 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, fotot e historitë e ditëve të luftës

 23 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, fotot e historitë e ditëve të luftës

Sot shënohet 23 vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kohë kur afro 1 milionë shqiptarë u dëbuan nga toka e tyre dhe u nisën për strehim drejt Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Fëmijët, gra, të moshuar, askush nuk u kursye nga vuajtja.

Në pranverën e vitit 1999 afro 500 mijë shqiptarë të Kosovës mbërritën në Kukës, ndërsa të tjerë në Maqedoni. Shumë prej tyre u prononcuan për median e huaj, ndërsa fotot e asaj kohe u bënë kryelajme në mediat më të mëdha të huaja.

Klan Kosova ka risjellë disa prej intervistave të disa shqiptarëve të Kosovës, që u bënë kryelajme përmes fotove që kapnin dhimbjet që ata përjetuan gjatë eksodit.

Xajë Mustafa kishte mundur të arrinte në Kukës, por zemra e tij ishte e thyer. Ai mendonte se fëmijët ia kishin vrarë. Një gazetar i huaj e intervistoi dhe i bërë këtë foto. Fatmirësisht, fëmijët e Mustafës kishin arritur të shpëtonin dhe më vonë ai u bashkua me ta.

“Kur shkuam në kufi, na ndali policia serbe. Ço dokument që kemi pas, na e kanë shkyer krejt. Fotot e fëmijëve m’i hodhën… për t’i marrë, kam ngrënë grushta e shkelma, vetëm mos t’i lë ato dy foto. “-pati treguar për Klan Kosovën Xajë Mustafa.

Sherife Luta ishte në kolonë me dhjetëra shqiptarë të tjerë të cilët u larguan nga Kosova. Në mesin e maleve, ajo kujton momentet e vështira teksa kujdesej për të bijën.

“Kur jemi nisur atë natë për Bllacë, çika ia nisi me qajt shumë. Pa ngrënë, pa pirë. Çika ishte akull.. Në atë ditë ka pas katastrofa. Gruaja e dajës lindi në mal. Sot ai djalë e ka emrin Flamur. Kur e shoh veten ashtu, më duket vetja e habitur, e mërzitur… krenare jam se do të mbetet si histori”-rrëfeu Sherife Luta.

Agimi në kohën e luftës ka qenë ende i vogël dhe pak mban mend nga tmerret e luftës. Foto e tij në mesin e telave me gjemba (shkrepur në Kukës), është shpallur në mesin e 50 fotove më të bukura në botë të realizuara në shekullin XX.

“Kam qenë i vogël, por sipas fotografisë më kanë treguar gjyshi e gjyshja. Babi më ka nxjerrë jashtë e më ka qit në kamp. Përmes edhe fotos sime bota njohu luftën që u bë në Kosovë.”-tregoi Agim Shala

Në Kukës për nder të një dite që nuk mund të harrohet, u ndëtua Obelisku, një kullë e ngritur nga shqiptarët e Kosovës si një shenjë falenderimi për popullin shqiptar. Obelisku u ngrit në vendin ku ishin vendosur çadrat ku qëndruan shqiptarët e Kosovës.