Mjeshtri që krijon lahuta dhe ruan traditën shekullore shqiptare

 Mjeshtri që krijon lahuta dhe ruan traditën shekullore shqiptare

Ka më shumë se 50 vite që lahutën e ka pranë. Është një intrument të cilit i ka kushtuar vite, qoftë për krijimin por edhe për të luajtur këngët e moçme shqiptare.

Ky është Prend Palushaj, nga Klina e Kosovës.

“Lahutën e kemi trashëgimi familjare. E kemi pas gjithmonë. Lahutën e kemi pas gjithmonë ‘vjehrrën’ në kullë. Që në fëmijëri ka qenë e varur në kullë.

Në atë kohë nuk kemi guxuar me e prek. Gjyshi merrte lahutën e vinte fëmijët në gjumë. Lahuta e gjyshit ka qenë në shtëpi deri në përfundim të luftës së Kosovës. Kur mbaroi lufta e kërkova, po nuk dinin. Edhe fillova e punova një vet.  Dua me pa atë lahutën e vjetër të gjyshit, se di sa kisha dhënë për të”-tregon Prendi.

Thotë se prej vitesh ka krijuar lahuta, jo si një mjet për të fituar para, por për të ruajtur traditën familjare, trashëgiminë e të parëve. Ashtu si puna e tij, ky zotëri flet me pasion për një ndër instrumentet më të vjetra, të përdorura ndër shqiptarë.

“Lahutën e punon ai që e do dhe e ka trashëgimi. Ka mjaft punë. Unë mundohem ta punoj origjinale pa shtesa e montime. Lahuta nuk duron metal fare. Ajo që ka metal nuk është origjinale. Çdo gjë është prej drurit.

Lahuta ka tri elemente është druri, lëkura e kecit dhe bishti i kalit. Harku duhet të jetë nga bishti i kalit që të jetë akustike. Forma e lahutës është ajo e lotit. Lahuta nuk këndon, vajton. Me lahutë këndohen këngët e kreshnikëve, këngët e burrave…

Figura e lahutës është koka e dhisë. Ajo është pjesë e lahutës dhe simbol i Pirros, Aleksandrit të madh dhe Skëndërbeut. Kjo e bën autokton tonin. Eposi i Kreshnikëve, ka shumë vargje që janë të luajtura me lahuta. Nuk ka të dhënë se kur është krijuar. Por thonë se ka lind shumë herët”-tregoi Prend Palushaj në një intervistë për abcnews.

Prendi shpreson që ky i vjetër të mos mbetet veçse i varur në mur, e për ktë ai ka një apel për shqiptarët

“(Shqiptarë) nga Amerika deri në Zelandë e krejt Europa, janë të interesuar për lahutën. Unë i kisha apeluar të gjithëve, le ta mbajnë një lahutë në familje. Nuk është qëllimi t’ja imponosh fëmijëve, por prej kureshtjes… unë i kam do nipa dhe shumë shumë merak janë tek lahuta. Mir do të ishte ta kishin të gjithë një në shtëpi.“-thotë Prendi.