Momentet frike, minibusi me 25 fëmijë në bord merr flakë… shoferi i shpëton të gjithë

 Momentet frike, minibusi me 25 fëmijë në bord merr flakë… shoferi i shpëton të gjithë

25 fëmijë kanë rrezikuar jetën ditën e djeshme, teksa udhëtonin në një minibus në njërën prej rrugëve që lidh Lecco-n me Valtellina-n në Itali.

Gjatë udhëtimit në një tunel, papritur njëra prej gomave të mjetit ka shpërthyer. Shoferi i minibusit ka ndaluar makinën dhe ka nisur të nxjerrë prej aty fëmijët. Ndërkohë mjeti ka nisur të marrë flakë dhe ndërhyrja në kohë e shoferit ka sjellë shpëtimin e 25 jetëve.

Pasi shoferi i ka larguar fëmijët, automjeti është përfshirë i gjithi nga flakët. Media italiane sqaron se 7 adoleshentë (të moshave 14,15,16 vjeç) janë transportuar në spital pasi kanë thithur një sasi tymi. Gjithsesi, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Kur zjarrfikësit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, automjeti vijonte të ishte i përfshirë nga flakët. Pas fikjes së zjarrit, zjarrfikësit kanë falenderuar shoferin e minibusit që arriti të kryejë një akt me të vërtetë heroik.

Vetë shoferi tha se “prioritet ishte shpëtimi i jetëve të fëmijëve”. Pas largimit të tyre nga rreziku, shoferi ka tentuar të fikë vetë flakët, por e ka patur të pamundur.

Këto janë pamjet e përcjella në median italiane.