Mbetet ende mister shkaku i helmimit masiv në Deçan, çfarë thonë mjekët dhe qytetarët

 Mbetet ende mister shkaku i helmimit masiv në Deçan, çfarë thonë mjekët dhe qytetarët

Komuna e Deçanit hyn në ditën e saj të pestë të një helmimi masiv, duke numëruar afro 1000 pacientë që kanë shfaqur simptoma si të vjella, dhimbje koke, barku, plogështi e diarre.

Ende mbetet mister shkaku që ka sjellë një numër kaq të madh të personave të helmuar, ndërkohë që në spitalin e Deçanit vijojnë të shkojnë persona për vizitë apo serum.

Në orët e vona të mbrëmjes, Klan Kosova ka vizituar ambientet e spitalit në Deçan, ku shihej një numër i shtuar i pacientëve që kishin patur shqetësime.

Këtë të mërkurë, në prononcim për median, drejtoi i qendrës familjarë në Deçan Selmon Berisha, u shpreh se gjat 24 orëve të fundit kanë kërkuar ndihmë mjekësore 310 persona me simptoma të helmimit.

“Në 24 orët e fundit janë gjithsej 310 pacientë me simptoma të njëjta siç kanë qenë ditëve përpara, ndërsa që nga data 10 korrik deri më 14 janë gjithsej 1062 pacientë. Prej orës 07:00 deri në 11:00 janë 55 pacientë”-tha Berisha.

Shumë qytetarë të pyetur në lidhje me helmimin, thonë se dyshojnë te uji i pijshëm. Disa prej tyre tregojnë se prej ditësh uji në rubinet ka qenë i turbullt apo me precipitat.

Autoritetet ndërkohë ende nuk kanë dhënë një rezultat përfundimtar në lidhje me pistën e një helmimi që mund të ketë ardhur nga papastërtia e ujit, edhe pse kjo si pistë nuk përjashtohet.

ÇFARË THONË QYTETARËT

Të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë folur për median në Kosovë dhe në tërësi kanë dyshime se ka qenë uji ai i cili ka sjellë këtë gjendje.

Në orët e vona të natës, Klan Kosova ka kryer disa intervistime në spitalin e Deçanit.

“Shërbimi ka qenë në nivel. Sonte kemi ardhur. Djali ka pirë ujë e ka pas pasoja. Më është dashur ta sjell, por tani gjendja është e mirë”-thotë një qytetar i cili ka sjellë fëmijën për vizitë.

Një prej pacientëve që ka mbërritur me shenja helmimi thotë këto fjalë:

“Tani jam më lehtë. Simptomat e para kanë qenë diarre, ligështim i trupit. Ne ujin e kemi përdorur gjithhera, por s’kemi patur telashe. Nuk e kemi ditur fillimisht që ka qenë prej ujit. Në shtëpi kam parë fëmijët e po bëjmë 1 javë rresht, 8 anëtarë, që vijmë e shkojmë këtu në spital. Ditën e parë i kemi blerë ilaçet e thjeshta, infuzionet… por stafi është i mrekullueshëm. Kërkesa jonë është me e dit arsyen se përse na ka ardh kjo. Tash thonë është uji, por të shohim në bazë të analizave. Mendja mua nuk ma merr që dikush e ka bërë qëllimisht, unë s’mund ta them këtë”

Ndërkohë nga fshati Shaptej i komunës së Deçanit, kanë folur dy familjarë të cilët janë helmuar 6 anëtarë. Kryefamiljari ka folur për emisionin debat plus në RTV Dukagjini sesi ai dhe familjarët janë prekur nga simptomat e helmimit.

Kryefamiljari: Ne faktikisht të nesërmen (të dielën) filluan dhe ankesat e familjarëve. Me simptoma të barkqitjes, të vjellave, marramendje etj. Kur vij në shtëpi gjej familjarët në këtë gjendje. Mirëpo me një trajtim ka kaluar deri më sonte. Vajza e cila disi më shumë telashe, është duke e kaluar, ka marrë një infuzion. Ne të vetmen gjë që të përbashkët që kemi është uji, ne dyshojmë se është nga cilësia e ujit. Unë ia kam dërguar dhe medias një shishe me ujë për të treguar. Dyshojmë se uji nëpër rubineta rridhte i turbullt. Dyshimet tona të para janë vetëm të ujit. Edhe punimet që janë kryer në këtë ujësjellës nuk janë kryer në nivelin e duhur, të standardit që duhet të kryhet. Kjo është arsyeja ku dyshojmë, por mund të ketë dhe arsye të tjera, qoftë dhe një helmim i qëllimshëm apo jo, por kjo mbetet në kompetencë të hetimit.

Djali: Për momentin gjendja ime është mirë, krahasuar me dy ditë më parë. Të shtunën kanë qenë simptomat e para ndërsa të dielën u shtuan simptomat, të cilat shkaktuan edhe një panik. Dyshimi kryesor po mbetet uji, sepse ka disa ditë që nuk është i pastër, se ka precipitat në fund. Pasi ne nuk kemi patur ndonjë kontakt që mund të sjellë këtë helmim masiv në 10 fshatra.

Një tjetër qytetare ka folur për median, duke treguar se në spital ka ardhur dy herë radhazi brenda ditës (dje, e martë) për shkak të përkeqësimit me shëndetin.

“Mundim, shtrëngim në bark pastaj vjellje. E kam marrë një (serum) u bëra më mirë, por prapë po më ndodh dhe erdha me marr edhe një tjetër. Infuzioni (serumi) po më ndihmon shumë.  Mos me qenë mjekët, çka kishim me bërë ne”, tha ajo në Kanal 10.

ÇFARË THONË MJEKËT

Flet mjeku infeksionist Halil Komoni

Mjeku infeksionist ka Halil Komoni ka mjekuar disa prej pacientëve që kanë shfaqur simptoma të helmimit. Në prononcim për RTV Dukagjini, mjeku u shpreh se në tërësi gjendja e pacientëve nuk është e rëndë. Ai u shpreh (dje në mbrëmje) se infektimi mund të jetë përhapur në mënyrë hidrike.

Mjeku Halil Komoni: Ka tre ditë që po qarkullojnë lajme që vazhdimisht po lajmërohen pacientë të cilët kanë pengesa të helmimit, faktikisht të helmimit me ushqim. Kjo epidemi faktikisht është përhapur në mënyrë hidrike duke qenë se pacientët të cilët kanë kërkuar ndihmë janë manifestuar me shenja klinike në formë të vjelljeve, dhimbjeve në bark dhe barkqitje.

Raste të tilla ka vazhdimisht, por jo me këtë masivitet. Për të tilla raste duhet të përputhen tre zinxhirë, duhet të ekzistojë burimi i infeksionit, rrugët e përhapjes dhe reciviteti i përhapjes. Si duket gjërat shkojnë në drejtim të një fatkeqësie elementare, respektivisht të ndotjes së ujit, meqë edhe masiviteti i popullatës është i madh.

Pa i parë analizat nuk mund të flasim për asgjë definitive, mirëpo duke marrë masivitetin, bëhet fjalë sipas të gjitha gjasave një epidemi hidrike.

Gjithsesi mendoj se nuk ka hapësirë për panik, por ka hapësirë për ndihmë dhe solidaritet.

Spitali i Pejës, flet drejtori Skënder Drezha

-Nga e shtuna ka qenë rasti i parë? Si Ka qenë gjendja e çfarë po ndodh?

Mjeku: Të dielën jam kontaktuar e jam informuar për situatën. Kemi filluar përgatitjet për t’u përballur me një fluks. Të shtunën kemi patur dy raste… deri më sot kemi rreth 100 pacientë.

Gjithsej kemi 4 pacientë, fëmijë në repartin pediatrik. Njëri është me temperaturë, të tjerët në gjendje stabile.