“Nana ishte shtatzanë, fëmijën e humbi prej shkelmave të policit të burgut”

 “Nana ishte shtatzanë, fëmijën e humbi prej shkelmave të policit të burgut”

Margerita ishte 23 vjeçe, në pritje të një fëmije. Ishte e vetmja grua në mes të vëllezërve të familjes Mazreku. Tre vëllezër ishin oficerë, ndërsa njëri prift. Një prej vëllezërve oficerë ishte vrarë nga partizanët në vitin ’44, ndërsa prej shtatorit të vitit ’46, Filip Mazreku (prifti) ishte arrestuar.

Si motër e vetme dhe për faktin se i vëllai nuk kishte familje, Margerita ishte ajo që kujdesej për vëllanë e arrestuar. Shkonte vazhdimisht në burgun ku e mbanin të izoluar Filipin, për t’i marrë teshat e papastra, për t’i sjellë ushqim. Këtë shërbim Margerita e bënte dhe për disa prifërinj të tjerë atje, për t’i lehtësuar sadopak jetesën nën torturën e regjimit komunist.

Margerita e dinte se çfarë mund të bënin komunistët. Një vëlla ia kishin vrarë, ndërsa tjetrin po ia torturonin. Por një ditë, do të ishte ajo që do të pësonte mbi trup dhunën, një dhunë që i kushtoi shumë.

“Nana ishte shtatzanë në muejin e shtatë. Siç më ka tregu ajo vetë, kur shkoi te daja, ata policat që ishin aty nisën me e sha e me i thanë: Ju nuk lindni fmij, ju pillni kriminela. Nisën ta shtynin e ta p’shtynin e njani prej tyne e qëlloi me shkelm në bark. Atëherë nana ashtë rrxue e noshta i ka ranë t’fikët, mandej e ka dështu fëmijën. Ajo nuk i njihte policët q’ishin aty. Disa flisnin edhe si prej Jugut, po ai që e ka qëllu në bark me shkelm fliste me dialekt shkodran”, ka treguar për kujto.al djali i Margeritës, Anton Lleshi.

Krimi nuk është i ‘regjistruar’, përveçse në kujtesën e atyre që u bënë viktima. Ndërkohë Filip Mazreku, siç tregon nipi i tij, provoi një sërë torturash nga regjimi, macen në thes, vezët e ziera në sqetull, kunja pishe të ngulura nën thonj… deri në fundin e jetës së tij, gjurmët e çengelave në shpinën e tij kishin mbetur aty.

 “Edhe një vlla tjetër oficer ia dënuen fillimisht me pushkatim, mandej ia ulën dënimin dhe kur u lirue e internun në Shkodër, ku ai ndrroi jetë brenda vitit”-tregon i nipi.

Por Filipi doli i gjatë nga burgu dhe i shpëtoi ridënimit në valën e dytë të persekutimit të klerit në Shqipëri. Pasi Shqipëria u bë i pari vend ateist në botë, Filipi u detyrua të punojë si bujk, pavarësisht se ai kishte njohuri mbi muzikën dhe mund të punonte si mësues.

Përndjekja veçse nuk do të ndalonte me kaq në familjen Mazreku. Familja e Anton Lleshit po ashtu do të përndiqej.

“Na kena hek të zezat e ullinit, sidomos baba, Injac Lleshi, si ndër agronomat e parë të rrethit të Shkodrës dhe Shqipnis. Vëllau ishte arsimtar, e kan hekë prej arsimit dhe e dërgun ushtar në repartin e punës. Mu nuk më dhanë të drejtën e shkollës për në politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë”, tregon Anton Lleshi për Kujto.al