Ndërhyrje heroike! Dy policët nxjerrin një burrë nga makina e mbështjellë në flakë

 Ndërhyrje heroike! Dy policët nxjerrin një burrë nga makina e mbështjellë në flakë

Një thirrje për ndihmë erdhi në repartin e zjarrfikësve. Një burrë kishte mbetur në një makinë e cila ishte mbështjellë thuajse plotësisht nga flakët.

Në vendngjarje shkuan të parët dy oficerë policie, Çendler Karrera dhe Edi Pineda. Vrapuan drejt makinës, teksa njëri prej tyre po bënte gati shuajtësen e flakëve. Edi Pineda tenton të hapë derën e makinës por është e pamundur për shkak të nxehtësisë. Oficeri mendon shpejt dhe nis të godasë me shkopin e gomës xhamin, ndërkohë që kolegu i tij fillon të shuajë flakët poshtë automjetit. Në brendësi të makinës ndodhet pa ndjenja një person. Pasi hapin derën, të dy policët tentojnë të nxjerrin jashtë makinës burrin. Ia arrijnë.

E gjithë skena u filmua nga kamerat që oficerët mbanin në trup, pamje të cilat u përcollën në të gjithë median amerikane.

Burri u dërgua në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, për shkak se kishte thithur një sasi të konsiderueshme tymi. Një prej dëshmitarëve që pa të gjithë ngjarjen, tregoi momentet.

“Po qëndroja në shtëpi, kur dëgjova një shpërthim. Dola jashtë dhe pashë një makinë të përfshirë nga flakët. Një burrë aty po bërtiste “Ka një njeri brenda”. Burri po i bërtiste dy oficerëve që erdhën me vrap aty. Njëri prej tyre theu xhamin me shkopin e gomës dhe me ndihmën e tjetrit e nxorrën jashtë burrin që ishte brenda makinës. Më pas makina shpërtheu në flakë. Nuk ishte shpërthim i madh, por disa sekonda pasi ata nxorrën burrin prej aty, makina u përfshi e gjitha në flakë. Ishte një çmenduri, ata policë janë heronj pa asnjë diskutim”-tha dëshmitari.