Në “varkën” e improvizuar me bidonë, si e humbi jetën punëtori në Bulqizë

 Në “varkën” e improvizuar me bidonë, si e humbi jetën punëtori në Bulqizë

Fotoja e mësipërme tregon një mjet lundrues të improvizuar me bidonë, e cila përdorej nga punëtorët e fabrikës së pasurimit të kromit në Bulqizë për të kaluar në anën tjetër të rezervuarit. Pikërisht në këtë ‘varkë’ ndodhi incidenti që i kushtoi jetën punëtorit 65 vjeçar ditën e djeshme.

Policia ka zbardhur ngjarjen e djeshme dhe ka vënë në pranga tre persona, të cilët sipas autoriteteve kanë fshehur ngjarjen.

65 vjeçari po punonte në zonën  e grumbullimit të ujërave në momentin kur ka rënë nga “varka” dhe është mbytur.

“Me datë 09.12.2021, rreth orës 13.30., është marrë informacion se tek fabrika e pasurimit të kromit Bulqizë, në rrethana të pa qarta kishte humbur jetën shtetasi M. K , 65 vjeç, banues në Bulqizë.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë dhe nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi M. K., (punëtor në subjektin Fabrika e Pasurimit të Kromit Bulqizë), ka qenë duke punuar në zonën e grumbullimit të ujrave kulluese të fabrikës, së bashku me shtetasit Rr. K., dhe A . A., të hypur sipër një varke të improvizuar dhe gjatë lëvizjes me të, kanë humbur ekuilibrin duke rënë ujë, ku si pasojë shtetasi M.. K., ka humbur jetën, dhe pas ngjarjes trupin e viktimës e kanë dërguar në banesë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve :

I . N., 53 vjeç, banues në Tiranë me detyrë Drejtuesi i aktivitetet të fabrikës së pasurimit të kromit, Bulqizë, i dyshuar se ka kryer veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Moskallzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer ne bashkëpunim.

Rr. K., 52 vjeç, A . A., 38 vjeç, (punëtorë në këtë fabrikë) të dyshuar se kanë kryer veprat penale “Moskallzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” .

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjyaktës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.