Nënë e një fëmije, nëna shqiptare ndërron jetë në aksidentin tragjik në Itali

 Nënë e një fëmije, nëna shqiptare ndërron jetë në aksidentin tragjik në Itali

Matilda po udhëtonte me makinën e saj në autostradën A7 të Italisë fqinje. Po shkonte drejt Xhenova-s, kur tragjikisht jeta e saj u pre në mes. 35 vjeçarja humbi jetën në aksident, duke lënë pas një fëmijë të vogël… nuk kishte shumë kohë që kishte inaguruar picerinë e saj në Xhenova.

Kështu shkruan media italiane këtë të hënë për vdekjen e 35 vjeçares shqiptare, e cila u godit nga një makinë që po ecte kundravajtje.

Makina që e goditi 35 vjeçaren shqiptare, po drejtohej nga një shtetas italian, i cili kishte arritur të kryente jo pak, por 5 kilometra rrugëtim kundravajtje në autostradë.

“Matilda po përshkruante rrugën në autostradë, kur një Volvo e bardhë doli nga hiçi dhe e goditi”-shkruan media italiane.

Pamjet e përcjella ditën e djeshme nga media lokale, treguan dhe forcën me të cilën makina e 35 vjeçares u përplas. Drejtuesi i makinës Volvo, i identifikuar si Giuseppe Maria Garavaglia, po ashtu gjeti vdekjen pas përplasjes së fortë.

Veç Matildës e italianit, një tjetër makinë u përplas me ta. Në automjetin e tretë udhëtonte një 35 vjeçar, djali i tij 4 vjeçar dhe një kushërirë e burrit, 34 vjeçare. Drejtuesi i makinës u dërgua me helikopter në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa i biri me kushërirën morën lëndime, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Në këtë aksident u përfshinë dhe dy makina të tjera, por lëndime të tjera nuk pati.

Në vendin e ngjarjes mbërritën ambulancat, por për Matildën e italianin që kishte ecur kundravajtje, nuk kishte më gjë për të bërë. Matilda kishte hapur muajin e kaluar restoratin e saj e të shoqit. Ajo ishte nisur për në banesë, atje ku po e priste i biri.