Nga 1 shtatori ndryshon ora policore në Shqipëri, tre kategoritë që do ta kenë me detyrim vaksinimin

 Nga 1 shtatori ndryshon ora policore në Shqipëri, tre kategoritë që do ta kenë me detyrim vaksinimin

Duke filluar nga e mërkura (1 shtator), në Shqipëri do të ketë një tjetër orar policor, konkretisht nga ora 23:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit. Në këtë hark kohor, nuk do të lejohet lëvizja e lirë.

Komiteti teknik i Ekspertëve ka njoftuar se një tjetër ndryshim do të jetë dhe regjimi i kalimit në pikat kufitare të Shqipërisë, i cili do të bëhet ngjashëm si me shtetet e tjera të Europës. Duke filluar nga 6 shtatori në pikat kufitare do të kërkohet pasaporta e vaksinimit (dokument që vërteton se keni marrë dozat e vaksinës), testi PCR negativ (brenda 72 orëve) apo testi i shpejtë negativ (brenda 48 orëve) ose një dokument që vërteton se e keni kaluar Covid në 6 muajt e fundit.

Këto rregulla do të jenë të vlefshme edhe për ata qytetarë që kalojnë tranzit në Shqipëri. (Përjashtim nga këto rregulla bëjnë fëmijët deri në 6 vjeç).

Shtetasit shqiptarë (rezident në Shqipëri)  të cilët kthehen nga jashtë shtetit drejt vendit dhe nuk kanë asnjë prej dokumenteve të mësipërme, do të duhet të karantinohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në përfundim të izolimit.

Një tjetër njoftim me rëndësi për qytetarët në Shqipëri, do të jetë bërja e detyrueshme e vaksinës për disa kategori të caktuara të shoqërisë. Kryetarja e komitetit teknik u shpreh se mjekët, mësuesit e studentët, do të duhet të marrin vaksinën, deri në fund të shtatorit, kohë e cila përkon me rifillimin e sezonit të ri arsimor. Përjashtim ndaj detyrimit për vaksinim në këto tre kategori, do të bëhet në ato raste kur ka një rekomandim mjekësor.

Kujtojmë se dhe shtatori do të jetë muaj i hapur për vaksinim, me fjalë të tjera çdokush mund të paraqitet për të kryer vaksinimin.

“Komiteti i Ekspertëve ka mbajtur në vëmendje situatë epidemiologjike. Si është vënë re treguesit kanë treguar tendencë përkeqësimi si numri i rasteve të reja ditore e cila nga 86 për 100 mijë banorë ka shkuar në 300. Duke analizuar më në thellësi shkaqet, Komiteti ka marrë vendim për disa masa për parandalimin.

Duke filluar nga 1 shtatori ora policore nga 24:00 deri në 6, do të shkojë në 23 deri në 6. Nga data 6 shtator qytetarët që hyjnë në kufirin e Shqipërisë, do të duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte: të ketë pasaportë vaksinimi jo më vonë se dy javë nga hyrja në fuqi, test PCR, ose provë të kalimit të COVID në 6 muaj e fundit. Kjo është e vlefshme edhe për ata që janë tranzit. Shqiptarët rezidentë që kthehen në Shqipëri dhe nuk kanë një nga vërtetimet e mësipërme futen në karantinë për 10 ditë.

Vaksinimi i detyruar do të nisë me stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët. Ata duhet të kryejnë vaksinimin deri në datë 30 shtator.

Duhet të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrave të tyre të punës dhe institucioneve të arsimit. Për ata që nuk e kanë do kërkohet paraqitja periodike e testit PCR. Përjashtime do bëhen vetëm për ata që kanë rekomandim mjekësor. Për studentët bëj thirrje brenda muajit shtator në mënyrë që procesi të zhvillohet në auditorë.

Vaksinimi kryhet në çdo qendër shëndetësore. Në ndërtesën e aeroporteve do lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët duke shmangur shoqërimin nga familjarët e tyre. Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura në qendrat tregtare, supermarket, transport publik. Në spitale nuk lejohet hyrja e familjarëve. Kur nuk zbatohen masat do vendosen gjoba për qytetarë nëse nuk kanë maskë 3 mijë lekë për herë të parë, 5 mijë lekë në rast të përsëritur. Ju lutemi të zbatoni masat siç i kemi rekomanduar”, tha Rakacolli. 

.