“Nga babai mbetën vetëm varëset” Pas dy vitesh kërkime, një grua e panjohur lumturon jetimin

 “Nga babai mbetën vetëm varëset” Pas dy vitesh kërkime, një grua e panjohur lumturon jetimin

“Këto janë uniforma ushtarake… pse janë këto uniforma në plehra?”

Kjo ishte pyetja që i shkoi ndërmend Dona Parkerit kur pranë një koshi mbeturinash gjeti dy uniforma ushtarake dhe një palë këpucë. Në zemër i lindi dëshira për të gjetur se kujt i përkisnin këto… Dhe ashtu bëri.

E vetmja gjë që ajo dinte ishte bexhi i shënuar në uniforma, “Mekenzi”, një mbiemër mjaft i përdorur në SHBA. Pavarësisht, ajo vijoi të kërkojë. Nisi t’i postojë uniformat në rrjetin social, i dërgoi ato pranë disa festivaleve apo aktiviteteve publike në qytezën e saj, me shpresën se dikush do t’i njihte.

Por asnjëri nuk i njohu uniformat. Dona vijoi kërkimin, derisa arriti të gjejë dhe emrin e ushtarakut.

“Gjeta një lajmërim vdekjeje… më goditi ai lajm, sikur të ishte ndonjë pjesëtar i familjes sime”-tregoi për CBS Dona, teksa lotët i rrodhën në fytyrë.

Uniformat i përkisnin sergjent Kith Mekenzit, i cili kishte shërbyer disa herë si ushtar në Afganistan. Me t’u kthyer në shtëpi, ai ishte përballur me pasojat psikike që sjell lufta. Martesa e tij po thyhej njëlloj si gjendja e tij mendore, e kësisoj ushtaraku i kishte dhënë fund jetës.

Uniformat ndodheshin në makinën që ai përdorte e teksa mjeti i ishte kthyer ushtrisë, rrobat ishin hedhur në plehra. Kur i mësoi të gjitha këto detaje, Donës iu mbush mendja se duhej të kthente uniformat.

“Dikush me siguri do të kishte dëshiruar t’i kishte ato uniforma”

1 mijë milje larg ndodhej shtëpia e ushtarakut, atje ku i biri jetonte me motrën e të ëmën. Djali i ushtarakut tregoi se e vetmja gjë që i kish mbetur nga i ati, ishin varëset identifikuese (‘dog tag’) që ai mbante në qafë.

Varëset identifikuese ishin të vetmet, derisa e shoqja e ushtarakut mori një telefonatë nga një e panjohur, e cila i tregoi se kishte gjetur uniformat e të shoqit. Kjo e panjohur ishte Dona.

Shikojini këto pamje prekëse, të një familje që përjetoi tragjedinë dhe orvatjen e një të panjohura, e cila u mundua për dy vite me radhë, derisa dërgoi uniformat në duart e djalit të ushtarakut të ndjerë.