Nga fletë rrufetë tek rrjetet sociale, si është shtuar gjuha e urrejtjes mes shqiptarëve

 Nga fletë rrufetë tek rrjetet sociale, si është shtuar gjuha e urrejtjes mes shqiptarëve

Nëse dikur nën regjimin komunist ishin fletë-rrufetë ato që merrnin rolin e “folësit” të urrejtjes, sot në shekullin e XXI, gjuha e urrejtjes në Shqipëri shpërhapet ndjeshëm në televizione dhe rrjetet sociale.

Në Tiranë u publikua pak ditë më parë një studim i kryer në bashkëpunim midis Këshillit të Europës, BE-së dhe Komisionerit kundër Diskriminimit. Në studim u anketuan afro 2 mijë persona dhe afro 60% e tyre mendojnë se gjuha e urrejtjes mbizotëron masivisht në vend. 9 nga 10 të pyetur mendojnë se përhapja e gjuhës së urrejtjes është shumë e përhapur.

Më shumë se gjysma e të pyeturve mendojnë se motivet më të zakonshme që ngacmojnë gjuhën e urrejtjes janë varfëria, statusi social, opinioni politik dhe paraqitja fizike.

Afro 70% e njerëzve të anketuar besojnë se programet televizive që përhapin gjuhë urrejtje janë ato të debatit politik (emisionet politike), shfaqjet e realitetit (emisionet reality show) dhe emisionet e formatit ‘Talk Show’.

Pjese nga studimi

Të rinjtë veçanërisht e perceptojnë gjuhën e urrejtjes si një faktor mjaft dominant në rrjetet sociale.

“Gjuha e urrejtjes përdoret më së shumti në media sociale, shkolla, universitete dhe vendet e punës. Më shumë se gjysma e të anketuarve pohojnë se kanë reaguar me veprime, kur kanë qenë dëshmitarë të gjuhës së urrejtjes ndaj dikujt tjetër. Aleanca kundër urrejtjes ka shumë punë për të bërë në Shqipëri” – thotë Robert Gajda, komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Gratë besojnë se gjuha e urrejtjes nxitet më së shumti prej paraqitjeve fizike, ndërsa burrat mendojnë se nxitja vjen më së shumti nga opinioni politik.

Sharjet që kanë të bëjnë me etninë apo shakatë për pakicat etnike po ashtu perceptohen masivisht si forma të gjuhës së urrejtjes në Shqipëri.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve mendojnë që ky nivel i lartë i gjuhës së urrejtjes ka qenë i pranishëm gjithmonë në Shqipëri (vetëm 1 në 10 të anketuar mendojnë se pandemia ka rritur/ shtuar gjuhën e urrejtjes).