Pamjet dramatike në kufirin lindor të BE-së, emigrantja humb foshnjen e palindur, të tjerë po vdesin nga i ftohti

 Pamjet dramatike në kufirin lindor të BE-së, emigrantja humb foshnjen e palindur, të tjerë po vdesin nga i ftohti

I ftohti tashmë është kthyer në një problem serioz për ata mijëra emigrantë të ‘ngecur’ në mes të një përplasje politike të fortë mes Bashkimit Europian dhe Bjellorusisë, në kufirin lindor të unionit (Poloni- Bjellorusi).

Një emigrante shtatzënë, e ardhur nga Iraku, humbi fëmijën e saj pikërisht në kufirin mes Polonisë e Bjellorusisë. Kreu i departamentit polak për organizimin e nevojave shëndetësore në këtë krizë, Aleksey Shcherbinsky, i tha medias se gruaja u dërgua në spital por pavarësisht ndihmës, humbi fëmijën.

“Fatkeqësisht, pavarësisht të gjitha masave të marra nga mjekët, fëmija nuk u shpëtua dot: u diagnostifikua vdekja e fetusit. Vetë gruaja është në gjendje stable dhe po merr të gjithë ndihmën e nevojshme”- u shpreh Shcherbinsky.

Dhjetëra emigrantë u trajtuan nëpër qendrat e vendosura afër kufirit, kjo pasi temperaturat e gjendja sanitare dukshëm është përkeqësuar.

E teksa emigrantët po sëmuren e vdesin prej të ftohtit, një grup banorësh në një qytezë të vogël polake, kanë vendosur të hapin dyert e tyre për të ndihmuar emigrantët në nevojë. Maria Ancipiuk, një këshilltare e qytezës, i tha CNN-it se ata kanë krijuar një pikë për të ndihmuar njerëzit në nevojë, të cilën e kanë vendosur në një stacion të zjarrfikësve. Atje janë mirëseardhur disa emigrantë, të cilëve u është dhënë ushqim dhe rroba të ngrohta.

Në kufi janë sjellë dhe ndihma, ndërsa siç raporton CNN njerëzit vrapojnë për të kapur çfarë të mundin që të përballen me orët e vona të natës dhe të ftohtin me temperatura nën zero. Janë afro 200 fëmijë e 600 gra të cilat janë pjesë e numrave të lartë të emigrantëve të mbetur të bllokuar në hapësirën mes dy kufijve (polak e bjellorus).

(Ramil Nasibulin/Belta/AFP/Getty Images)

Numrat e emigrantëve shtohen, ndërsa autoritetet bjelloruse i thanë gazetarit të CNN se numri i tyre mund të shkojë deri në 10 mijë gjatë ditëve në vijim, nëse kriza vijon.

Ndërkohë në konflikt kanë hyrë dhe fuqitë e mëdha. SHBA-ja ka shprehur shqetësim duke akuzuar Bjellorusinë për veprimet e saj “mjaft të rrezikshme”. Ndërkohë Rusia ka nisur një stërvitje ushtarake fare pranë kufirit për të mbështetur aleatin bjellorus.

Youssef Atallah, një emigrant 37 vjeçar nga Siria i cili mundi të kalojë kufirin, tregoi se ishte përpjekja e tretë e tij për t’u larguar përmes Bjellorusisë. Ai tregoi se trupat bjelloruse e rrahën, duke i thyer hundën dhe nxirë brinjët.

Shikoni këtu videon

Shumë organizata humanitare kanë kritikuar Poloninë dhe BE-në për mbylljen e dyerve ndaj emigrantëve. Akuza po ashtu janë drejtuar në adresë të Bjellorusisë, duke dënuar veprimet e Lukashenkos në ‘shtyrjen’ e emigrantëve drejt BE-së, akuza të cilat lideri autoritar i Bjellorusisë i hedh poshtë prej ditësh.