Një 10 vjeçar nga Shkodra humb jetën aksidentalisht, psikologia: Ka rënë pre e rrjeteve sociale

 Një 10 vjeçar nga Shkodra humb jetën aksidentalisht, psikologia: Ka rënë pre e rrjeteve sociale

Ditën e djeshme një 10 vjeçar ka humbur jetën dhe mendohet se shkak ka qenë një lojë e rrezikshme në rrjetet sociale.

I mituri besohet se ka tentuar të bëjë një “video- sfidë” duke bërë akrobaci, por një lojë e tillë ka rezultuar fatale. Prindërit e kanë gjetur të pajetë 10 vjeçarin në katin e dytë të banesës.

Për punonjësen sociale në shkollën “At Gjon Karma’ në Gurin e Zi, atje ku studionte i mituri, shkaku duhet gjetur tek lojërat e rrezikshme në rrjetet sociale, kjo pasi 10 vjeçari nuk kishte shfaqur asnjë lloj shenje agresiviteti apo depresioni.

“Nga vëzhgimet më përpara, nxënësi nuk ka shfaqur asnjëherë shenja agresiviteti apo depresioni. Mendojmë që është rënie pre e rrjeteve sociale. Dua të bëj një ndërgjegjësim ndaj stafit të shkollave e prindërve që të rrisin kujdesin ndaj qasjes në internet, ndaj përdorimit të telefonave, tabletave e kompjuterave, në mënyrë që të shmangim akte të tilla”-tha ajo në prononcim për mediat.

Ndërkohë mësuesja e 10 vjeçarit, ka treguar se ai ishte një prej nxënësve më të mirë të klasës.

“… ishte nxënës i imi që prej klasës së parë. Mund ta përshkruaj si një nxënës me arritje të mira, me tipare të një lideri. Një fëmijë shumë i shkathët. Gëzonte respektin e nxënësve dhe mësuesve.  Shumë sjellje e mirë. Asnjëherë nuk ka shfaqur probleme.

“Keni arritur të komunikoni me prindërit?

“Kam arritur të komunikoj jo me prindërit direkt, por me familjarë të tij. Pak a shumë ata këtë ide kanë, por ende nuk e kanë shumë të qartë ”-shtoi mësuesja.

Kujtojmë se “sfidat” në rrjetet sociale janë kthyer në një shqetësim global, ku dhjetëra persona, përfshi dhe të mitur, kanë humbur jetën duke tentuar të bëjnë video. Shumë jetë po ashtu janë humbur veçse për të tentuar për të bërë një selfie të bukur.