Një kampion i peshëngritjes, 15 vjeçari: Ëndrra ime është të ngre flamurin shqiptar nëpër botë

 Një kampion i peshëngritjes, 15 vjeçari: Ëndrra ime është të ngre flamurin shqiptar nëpër botë

“E nisa me dy gira në shtëpi, pak nga pak. Më pas u kërkova prindërve të më sillnin në stërvitje.”

Kështu tregon Andri, 15 vjeçari nga Fieri i cili premton shumë për sportin e peshëngritjes shqiptare. Stërvitur në kushte mjaft të vështira, 15 vjeçari ka pasion peshëngritjen dhe stërvitet intensivisht për të arritur rezultate të larta.

“Fola me profesorin e vijojmë të punojmë si sot e 5 vite. Sportin e kam filluar në moshë 10 vjeçare. Më dukej sport interesant, e kisha pasion. Shumë kishin pasion futbollin e basketbollin, por mua më pëlqente stërvitja.”-shtoi në intervistë për median, 15 vjeçari.

Trajneri i tij, Riza Fejzullahu tregon se Andri është mjaft premtues. Në 5 vitet e fundit ai ka marrë pjesë në 4 gara me të rriturit dhe 1 me të rinjtë, ku dhe doli kampion për moshat deri në 17 vjeç.

“Filluam duke mësuar anën teknike, më tutje kombinuar me anën fizike. Në kampionatin e fundit ku ishim, në Durrës, konkuroi për moshat nga 15 deri në 17 vjeç. U kualifikua i pari në stilin e shkëputjes, shtytjes duke fituar medaljen e arit. Në shkëputje arriti 81 kg, kurse në shtytje arriti 102 kg, një rezultat premtues për të ardhmen e peshëngritjes.”-tha trajneri.

Andri thotë se e ka një ëndërr, të bëhet kampion e të ngrejë flamurin shqiptar.

“Ëndrra ime është që të jem në pedanat ndërkombëtare të peshëngritjes, të jem në podium  me medalje ari dhe të ngre lart flamurin e Shqipërisë”

Andri është pjesë e sportistëve të klubit të Apollonisë dhe stërvitet në mjedise të improvizuara, pasi në Fier mungon një pallat sporti.