44 ditë ‘luftë’ për të shpëtuar jetën e një foshnje nga Kosova

 44 ditë ‘luftë’ për të shpëtuar jetën e një foshnje nga Kosova

Vogëlushi lindi para kohe, në javën e 33-të. Ardhja e tij në këtë botë ishte e vështirë, pasi tek bebi u identifikuan disa probleme shëndetësore.

Foshnja me inicialet P.G qëndroi për 44 ditë në këtë inkubator, derisa mjekët u munduan që të gjejnë një zgjidhje për t’i shpëtuar jetën. Vogëlushi kishte patur probleme në frymëmarrje, probleme për të cilat do duhej ndërhyrë me operim.

Në ditën e dhjetë të lindjes foshnja iu nënshtrua operimit në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK. Mjeku tregoi për rastin, që sipas tij është shumë i rrallë dhe ndodh një herë në disa vite në Kosovë.

“Ishte shfaqur me shenja të distresit respirator. Kishte ngulfatje, kjo pasi qumështi i kalonte nga trakti tretës në atë respirator. Kjo formë e anomalisë është jashtëzakonisht e rrallë, 1 në 100 mijë lindje e në Kosovë i bie të kemi 1 herë në 3-4  vite.”-tha mjeku kirurg Defrin Kocinaj, në intervistë për median e Kosovës.

Vogëlushi më tutje ka qëndruar për 17 ditë në intubim e fatmirësisht në mënyrë graduale ia ka dalë.

“Për 17 ditë ka qenë në ventilim mekanik, pra i intubuar, më pas në mënyrë graduale ka kaluar në ambient”-tregoi një tjetër anëtare e stafit që u kujdes për foshnjen.

Vogëlushi tashmë ndodhet në krahët e prindërve, në gjendje të mirë shëndetësore.