Pamje të pazakonta, qyteti me miliona banorë mbulohet nga stuhia e rërës

 Pamje të pazakonta, qyteti me miliona banorë mbulohet nga stuhia e rërës

Stuhi të forta rëre kanë përfshirë qytetin e Sao Paulo-s dhe rrethinat e saj në ditët e fundit, duke i marrë jetën të paktën 6 personave.

AFP raporton duke iu referuar medias lokale atje (Brazil) se stuhitë e rërës kapin shpejtësi marramendëse të erës, afro në 100 km/h. Nga fundi i shtatorit e deri më tani, banorët e qytetit me afro 20 milionë banorë, janë përballur me të paktën 3 stuhi të tilla, të cilat kanë sjellë dëme të konsiderueshme.

“Në disa aspekte, këto stuhi janë të zakonshme, por kurrë nuk kemi parë një magnitudë të tillë. Stuhi të tilla vijnë si pasojë e thatësirës së madhe e mosrënies së shiut, temperaturave të larta dhe niveleve të ulëta të lagështirës”-shpjegoi për AFP një meteorolog.

Edhe BBC ka raportuar për ndodhinë e pazakontë, duke përcjellë pamje (shiko poshtë). Një prej qytetarëve që u përball me stuhinë, tregon:

“Erdhi një erë e fortë. Pak më tutje temperaturat ranë dhe era u bë shumë e fortë, aqsa rrëzoi pemët, disa mjete pranë shtëpisë por edhe tjegullat e banesës. Ishte një katastrofë totale”

Të tilla stuhi rëre janë përgjithësisht ndodhi që prekin shkretëtirat apo zonat afër tyre. Stuhitë arrijnë deri në mijëra metra lartësi e deri në 160 km gjerësi.