Një rrëfim mbi tragjedinë në Itali, kush ishin 14 viktimat që u shuan me rënien e teleferikut

 Një rrëfim mbi tragjedinë në Itali, kush ishin 14 viktimat që u shuan me rënien e teleferikut

Një ditë tragjike për Italinë e diela që lamë pas. 14 persona humbën jetën kur teleferiku ku po udhëtonin shkëputet nga telat dhe bie në tokë. Ngjarja ndodhi pranë liqenit Maggiore në zonën e Verbanos.

Nga aksidenti tragjik 14 njerëz ndërruan jetë, mes tyre një familje e tërë. Ndërkohë në spital një fëmijë i mitur po lufton për jetën në gjendje të rëndë shëndetësore. Hetimet e prokurorisë kanë nisur, teksa në median italiane thuhet se kavot që mbanin teleferikun ishin rinovuar vitin e kaluar dhe duhet të operonin në kushte të mira deri në 8 vite. Për të parë videon që shpjegon sesi mendohet të ketë ndodhur aksidenti, klikoni këtu

Ndërkohë “La Repubblica” ka përcjellë fotot dhe historitë e 14 viktimave.

Çifti i të rinjve Silvia Malnati (26 vjeç) e Alessandro Merlo (29 vjeç) janë dy ndër viktimat e incidentit tragjik. Ata jetonin në Varese. Silvia sapo ishte diplomuar, ndërsa lajmin e rëndë familja rrëfen se e mësoi përmes lajmeve.

Silvia e Alessando (ansa)

Serena Costantino ishte larguar mëse 1 mijë km larg nga Mottarone, vendi ku jetonte. Ishte 27 vjeçe dhe kishte ardhur së bashku me të fejuarin e saj, Mohammadreza Shahaisavandi, një djalë me origjinë nga Irani. Të dy jetonin në qytete të ndryshme dhe ishin takuar për fundjavë. Autoriteteve i takon detyra e vështirë për t’i dhënë lajmin familjes së djalit, të cilët jetojnë ende në Iran.

Serena dhe Mohammadreza (ansa)

Çifti Roberta Pistolano e i shoqi Angelo Vito Gasparro kishin ardhur për të festuar ditëlindjen e Robertës. I shoqi kishte përgatitur një surprizë të shoqes.

Roberta e Angelo

Familja e Vittorio Zorlonit u shua . 54 vjeçari ishte me të shoqen Elisabetta Persanini, 38 vjeç. Mes viktimave ishte dhe djali i tyre i mitur, vetëm 6 vjeçar.

“Jam në kontakt me karabinierët dhe pres përditësimet. Vittorio ishte nisur për një udhëtim me familjen si shumë italianë të tjerë që e kishin vendosur që fundjavën ta kalonin duke u argëtuar, pas vendimit për lirimin e masave anti-covid. Prindërit janë lajmëruar. I gjithë komuniteti vedanez i qëndron në krah familjes në këtë moment dhimbjeje të madhe”- do të shkruante kryebashkiaku i Vedano Olona.

Vittorio Zorloni

Mes viktimave dhe një tjetër çift i ri. Një 30 vjeçar që studionte për mjekësi (Amit Baran) dhe e shoqja, 27 vjeçarja Tal Peleg. Dy të rinjtë kishin dy fëmijë, një 2 vjeçar që ndërroi jetë dhe vëllai i tij. Ky i fundit, 5 vjeçar, u transferua në spital në gjendje të rënduar dhe sipas medias italiane kur vogëlushi mbërriti në spital qante dhe thoshte vetëm “Më lini, më lini të qetë”. Bashkë me çiftin ishin dhe gjyshërit, Itshak Cohen, 82 vjeçar dhe e shoqja Barbara, 70 vjeçe. Të dy të moshuarit po ashtu ndërruan jetë.