Njeriu që zgjodhi të hyjë vullnetarisht në “kampin e ferrit”… në Aushvic

 Njeriu që zgjodhi të hyjë vullnetarisht në “kampin e ferrit”… në Aushvic

Në vitin 1940, një agjent i fshehtë polak i quajtur Vitold Pilecki, vendosi të hyjë vullnetarisht në kampin e Aushvicit. Qëllimi i tij? Të mblidhte sa më shumë informacion në lidhje me kampin famëkeq dhe të krijonte një rezistencë brenda “ferrit”. Në vitet e luftës aleatët dinin mjaft pak për genocidin e ndodhur në këtë kamp famëkeq dhe një ndër personat që tregoi dhe pa me sytë e tij se çfarë ndodhte atje, ishte Pilecki.

Witold Pilecki para nisjes se LIIB

“Mendoj se Vitold Pilecki kishte një vullnet për të luftuar… në shtator të ’39 ai besonte se Polonia mund ta mundte Gjermaninë naziste në harkun kohor të disa javëve.”-tregon historiani Jaroslav Vroblevski.

“Pas mbarimit të luftës në shtator të ’39-tës (pushtimit nazist), Vitoldi shkoi në Varshavë. Një nga adresat e pakta që mund të përdorte, ishte banesa e nënës sime (motrës së tij). Aty unë e takova për herë të parë dajën. E doja shumë, krijuam një lidhje të fortë. Në apartamentin tonë mbaheshin shpesh mbledhje të fshehta. Në atë kohën nisën thashethemet se po bëhej një kamp i madh internimi (Aushvici) ”-tregon nipi i tij, Andrej.

Grupet polake të rezistencës e dinin se autoritetet naziste kryenin shpesh herë kontrolle blic dhe dërgonin grupe të mëdha në kampin e Aushvicit. Vitoldi qëndroi në shtëpi, duke e ditur se do ta arrestonin e dërgonin në kamp. Kishte vendosur të hynte në kamp, për të mësuar se çfarë ndodhte në atë vend, ku shumë hynin, por thuajse asnjë nuk dilte dot.

“Atë ditë burri që kujdesej për bllokun e pallateve ku jetonim, erdhi me vrap për t’i thënë Vitoldit se gjermanët po vinin për të marrë burra e për t’i dërguar në kamp. I tha dajës se kishte një vend të mirë për t’u fshehur, por ai i tregoi se kësaj here, nuk kishte ndërmend të fshihej. Daja u bë gati dhe po priste ardhjen e nazistëve. Ata trokitën, ndërsa nëna ime hapi derën. Ishin tre persona, dy ushtarë dhe një i veshur civil. Ky i fundit pyeti nëse kishte burra në shtëpi. Unë isha në krevat e teksa fshihesha më ra në tokë arushi. Daja erdhi në dhomë, më puthi në ballë dhe më tutje iku. Teksa po dilte jashtë, i tha nënës time ‘raportoi njeriut të duhur, se unë po e përmbush urdhrin… në atë moment nëna ime e kuptoi se gjithçka ishte planifikuar”-tregon nipi i Pileckit.

Pilecki kësisoj përfundon në Aushvic, ku dhe përballet me terrorin, forcat ‘SS’ dhe torturat të cilat përballonin të burgosurit atje. Që në fillim të mbërritjes, dhuna ishte brutale për të.

“Ai përshkruan sesi që në fillim të mbërritjes së tij, ia thyen dhëmbët, sepse gjermanët kishin dashur që t’ja shënonin numrin identifikues në gojë. Ai kishte refuzuar e kësisoj ishte goditur me shkop fytyrës”-tregon historiani Jaroslav Vroblevski.

Pavel Saviçki, punonjës i muzeut të Aushvicit dhe guidë e kampit, tregoi për BBC-në se në fillimet e kampit, nuk kishte dyshekë. Njerëzit flinin nëpër kashtë, ndërsa në vjeshtë të 1941 u vendosën dyshekët e famshëm me tre kate.

“Dy të internuar përgjithësisht zinin një kat, pra me fjalë të tjera këto dhoma ishin të mbipopulluara. Kur njerëzit shikojnë historitë e të burgosurve në Aushvic, impresioni i parë që kanë është se këta njerëz, me siguri ndihmonin njëri- tjetrin, se ky është një komunitet i madh që do t’i qëndronte në krah njëri- tjetrit.

Por në fakt, për shkak të kushteve, për shkak të urisë, frikës, dhunës, terrorit… njerëzit thjesht zgjidhnin për të mbijetuar. Ndonjëherë kjo do të thoshte se vendimet e një njeriu, me gjasë mund të sillnin dëme të mëdha për tjetrin. Kjo ishte bota diabolike e këtij kampi.”-tregoi duida e muzeut, Paveli.

Pavarësisht këtyre kushteve, Pilecki arriti të krijojë një grup të rezistencën dhe t’u japë shpresë dhjetëra të burgosurve se ka ende dritë në fund të tunelit. Siç shpjegon dhe historiani Jaroslav Vroblevski.

“Ai arriti të krijojë një lloj strukture ushtarake, është e rëndësishme, sepse arriti të krijojë në atë ferr një strukturë me afro 500 vetë a më shumë”

“Pilecki krijoi një organizim që bazohej tek 5-at. Çdo grup i strukturës kishte 5 persona. Ai u mundua të rekrutonte njerëz në njësi të ndryshme të punës, në mënyrë që të mund të mblidhte sa më shumë informacion rreth kampit. Nga vetë perspektiva e tij ai mund të kuptonte sesi jetohej, por nuk kishte aksese për shembull në numrin e të burgosurve atje. Shumë të burgosur punonin në zyrat e SS-ve nazistë dhe kishin akses në dokumenta e të dhëna.”-shpjegoi guida e kampit, Saviçki.

Kësisoj Vitold Pilecki arriti të përshkruajë në detaje një sërë aspektesh e informacionesh që askush nuk i dinte nga bota e jashtme. Të dhënat ai arrinte t’i nxirret jashtë kampit në grupin e rezistencës ku bënte pjesë, me qëllimin e vetëm, që mbarë bota të reagonte.

“Por në fakt bota ishte e heshtur.”-pohoi historiani Jaroslav Vroblevski.

Për tre vite Vitold Pilecki raportoi se çfarë i panë sytë në Aushvic dhe sesi kampi zmadhohej e bëhej edhe më i tmerrshëm. Ai kërkoi dhe përgatitjen e një sulmi për të shkatërruar kampin, por askush nuk iu përgjigj kërkesës së tij. Shumë pjesëtarë të ‘organizatës’ që ai krijoi brenda kampit nisën të ekzekutohen. Me frikën se së shpejti do t’i vinte radha, ai vendos të arratiset.

Shumica e arratisjeve ndodhën me ndihmë nga jashtë. Të kalojë radhët me tela me gjemba ishte thjesht e pamundur. Ai arrin të lërë punën e tij për të shkuar në njësinë ku bëhej buka. Me disa të tjerë merr turnin e natës, këpusin dritat dhe arrijnë të arratisen.”-tregoi Paveli, zëdhënësi i muzeut të Aushvicit.

Pasi u arratis, Pilecki i bashkohet forcave të rezistencës në Poloni. Në vitin ’44 ai mori pjesë në kryengritjen e rezistencës polake. Por pas dështimit të kësaj të fundit, ai u kap nga nazistët dhe u dërgua në një kamp ku mbaheshin të burgosurit e luftës. Liria do të vinte në vitin 1945 nga forcat aleate (amerikanët në rastin e tij). Sërish Pilecki hyn në grupet e rezistencës, pasi me ikjen e nazistëve rreziku i ardhshëm janë sovjetikët.

Pilecki u arrestua nga regjimi komunist në vitin 1947. U përball me rrahje brutale dhe një gjyq farsë. E dënuan me vdekje.