Shqiptari mbyt të shoqen në Greqi, rrëfimi i vëllait të të ndjerës: Fëmijët mbetën pa prindër

 Shqiptari mbyt të shoqen në Greqi, rrëfimi i vëllait të të ndjerës: Fëmijët mbetën pa prindër

Një 36 vjeçare shqiptare, e identifikuar në median greke si Elona, gjeti vdekjen nga duart e bashkëshortit 40 vjeçar, Festimit. Ngjarja e rëndë ndodhi në Laconia në shtetin fqinj, ndërsa policia e arrestoi autorin e vrasjes. Përpara hetuesve, 40 vjeçari tregoi se kishin patur një zënkë dhe se ai e kishte mbytur të shoqen me duar. Në dhomën ngjitur, ndodheshin dy fëmijët e mitur (8 e 10 vjeç) të çiftit shqiptar.

“Isha i nxehur pasi më ofendoi, e kapa prej fyti dhe e mbyta”, ka thënë ai para policisë.

40-vjeçari është përpjekur që të largohet pas vrasjes, por më tutje është penduar. Ka njoftuar vetë policinë në telefon dhe ka rrëfyer. Disa orë para ngjarjes, autori kishte postuar një foto në rrjetet sociale ku shfaqej duke përqafuar të shoqen.

Mbi ngjarjen e rëndë foli për median greke dhe vëllai i 36 vjeçares së ndjerë. Me zërin që dridhej, ai deklaroi se çifti nuk ka patur ndonjëherë probleme serioze në 10 vite martesë. Është pikërisht vëllai i të ndjerës i cili ka marrë në shtëpinë e tij dy fëmijët e vegjël.

“Nuk kanë patur probleme, kanë shkuar bashkë në punë. Dje shkuam në lokal për të pirë çaj dhe në orën 08:00 – 08:30 ai u largua dhe shkoi në shtëpi të gatuante për fëmijët. Fëmijët flinin në dhomën ngjitur, nuk kuptuan asgjë. Kishin 10 vjet që ishin të martuar, ishin njerëz të qetë. Fëmijët i kemi marrë ne, i kemi sjellë këtu”, ka thënë vëllai i Elonës pasi u pyet nga gazetarët për ngjarjen tragjike.