“Nuk i hedhim gratë e fëmijët në rrugë, siç bëre ti”  Gruaja që kujdeset për viktimat e dhunës në familje

 “Nuk i hedhim gratë e fëmijët në rrugë, siç bëre ti”  Gruaja që kujdeset për viktimat e dhunës në familje

“Kam shku me marrë në spital viktimën, lehonë me bebe… më lëshuan në dorë atë bebe, kujtoj ishte një vajzë shumë e bukur. Ajo vajzë u rrit për një vit në strehimore.”

Prej 20 vitesh kjo grua udhëheq një qendër që shërben për strehimin e viktimave të dhunës në familje, përgjithësisht gra e fëmijë të mitur.

Por rrugëtimi i Jubilea Kabashit nga Prizreni, nuk ka qenë i lehtë. Vetë ajo është nënë e dy vajzave. I shoqi i ndërroi jetë pas luftës në Kosovë, ndërsa për një kohë ajo ishte e papunë dhe në vështirësi të mëdha… derisa një organizatë e huaj i ofroi mundësinë për të drejtuar një qendër për viktimat e dhunës në familje.

“Në shumë raste nuk kanë ditur anëtarët e familjes sime se përse po çohem natën… shumë raste ka patur emergjenca në strehimore, sëmundje, incidente. Jam detyruar të vij natën këtu për to”

E duke ndihmuar të tjerët, Jubilea tregon se ka ndihmuar edhe veten. Emocionet e vuajtjet që ajo ka parë e ndier, e kanë bërë më të fortë. Në jo pak raste, 54 vjeçarja është kërcënuar, i kanë drejtuar armën e madje edhe goditur prej rolit të saj si drejtuese e një qendrë për strehimin e viktimave të dhunës në familje.

“Më kanë dalë përpara, më kanë kërcënuar, kanë tentuar të më frikësojnë, të më tregojnë armën… kjo nuk më ka shtyrë të shkoj prapa, përkundrazi. Kam patur raste kur më kanë kapur prej flokësh, më kanë sulmuar, por fatmirësisht institucionet më kanë dalë në krahë.

(Abuzuesit) Duhet me qenë të vetëdijshëm se atë që ti ke bërë, ne nuk e bëjmë. E ke hedhur gruan e fëmijën në mes të rrugës, ne nuk e hedhim gruan tënde e fëmijët e tu në rrugë. Përkundrazi, u kemi zgjatur dorën, i mbrojmë, i pastrojmë, i veshim, i japim ushqim, i japim dashuri.”-tregoi për REL Jubiela.

Përveçse strehimit, në qendër viktimave u ofrohet dhe mundësia për t’u aftësuar në një zanat, me qëllim që të mund të kthejnë një faqe të re në jetët e tyre. Si rasti i kësaj 36 vjeçareje, nënë e dy fëmijëve dhe viktimë e dhunës në familje.

“Jubilea e gratë e tjera këtu më kanë dhënë forcën që të gjej punë, të eci përpara”-tha ajo.