Nuk ndryshojnë masat anti-Covid në Shqipëri, çfarë duhet të dini

 Nuk ndryshojnë masat anti-Covid në Shqipëri, çfarë duhet të dini

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka lënë në fuqi edhe për dy javët e ardhshme, masat e vendosura më parë. Sipas komitetit, situata me infektimet e shtrimet në spital nuk sjell nevojën e forcimit të masave anti- Covid.

Sipas të dhënave të bëra publike, femrat janë më të prekurat në vend prej Covid. 52% e të infektuarve janë femra, ndërsa 48% meshkuj. Pacientët e shtruar në spital i përkasin të gjitha moshave, por numri mbizotërues i përket fashës në moshën 60- 65 vjeçare.

Në lidhje me masat, ato do të mbeten të pandryshuara. Me fjalë të tjera, ora policore do të mbetet siç ka qenë, ndalohet lëvizja nga ora 23:00 deri në orën 06:00.

Një tjetër masë me rëndësi për qytetarët është ajo e hyrjes në kufirin shqiptar. Për të hyrë në Shqipëri, qytetarët do të duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:

-Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.

-Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.

– Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

Shtatori mbetet po ashtu një muaj i hapur për vaksinimin, ndërsa javë më parë, komiteti vendosi që të kishte tre grupe që do duhej ta kryenin vaksinën me detyrim, konkretisht: stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët.

Nuk duhet harruar dhe rregulli për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura ( në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.)