Pamjet bombardimeve të ashpra, si e mori Rusia nën kontroll centralin më të madh bërthamor në Evropë

 Pamjet bombardimeve të ashpra, si e mori Rusia nën kontroll centralin më të madh bërthamor në Evropë

Goditje me armë të rënda, këto janë pamjet e regjistruara gjatë orëve të vona të natës në centralin më të madh bërthamor në Evropë, në Zaporiski (Zaporizhzhia).

Forcat ruse tashmë kanë marrë kontrollin e centralit të Zaporiskit, siç raporton dhe BBC.

Autoritetet ukrainase thonë se pas ndëhyrjes për të shuar flakët, niveli i rrezatimit është në kushte normale dhe janë marrë masat për të fikur 5 nga 6 reaktorët që ndodhen në këtë central bërthamor.

Liderët kudo në botë kanë reaguar ashpër në lidhje me sulmin në centralin bërthamor, pasi një ‘lëvizje e gabuar’ mund të sillte katastrofa të paimagjinueshme për të gjithë kontinentin.

Presidenti i Ukrainës Zelenski u shpreh se Rusia në fakt ka ndërmend ta përsërisë një tjetër ngjarje tragjike si ajo e Çernobilit (1986).

Ndërkohë që pala ruse e cilësoi si një sulm nga “sabotatorët ukrainas”

Videot e publikuara në median ukrainase dhe ato të huaja, tregojnë momentet kur pranë centralit ka një shpërthim të madh, ndërsa godinat pranë Zaporiskit goditen me armë të rënda.

“Ky është terrorizëm, ky është një shqetësim jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë rajonin e botën”-tregoi një qytetar ukrainas që jeton pranë zonës ku ndodhet centrali.

Centrali i cili ndodhet afro 550 km larg kryeqytetit, gjeneron thuajse ¼ e energjisë elektrike në Ukrainë. Ndodhet në veri lindje të qytetit të Kersonit, i cili po ashtu është nën kontrollin e forcave ruse.

Çfarë ka ndodhur, shkurtimisht, në ditën e 8 të luftimeve në Ukrainë

Në qytetin port të Mariupolit në jug të Ukrainës, qytetarët kanë mbetur pa ujë e drita për shkak të bombardimeve të mëdha nga ana e rusëve.

Në veri, në qytetet Çernihiv e Karkiv, përgjatë mbrëmjes kanë vijuar goditjet me raketa, ndërsa raportimet flasin se një tjetër qytet (Sumy) është rrethuar nga forcat ruse.

Mbrëmjen e djeshme, pas raundit të dytë të bisedimeve mes palëve, u ra dakord vetëm për lejimin e korridoreve për largimin e civilëve nga zonat e konfliktit. Deri më tani mbi 1 milionë ukrainas kanë ikur nga vendi.

Pavarësisht sanksioneve, Putin deklaroi se “operacioni i tij special ushtarak” po shkon “sipas planit”