Pamjet e katastrofës që goditi SHBA-të, të paktën 100 viktima prej tornadove e stuhive

 Pamjet e katastrofës që goditi SHBA-të, të paktën 100 viktima prej tornadove e stuhive

Kjo është pamja e një tornadoje të frikshëm, filmuar në Kentuki, atje ku dëmet e stuhisë së fuqishme sollën dhjetëra jetë të humbura e shkatërrim masiv.

Forcat e një serie tornadosh dhe stuhive përgjatë 6 shteteve në SHBA, sollën vdekjen e të paktën 100 personave, ndërsa shtëpi, ndërtesa, fabrika e madje dhe një tren, u shkatërruan plotësisht nga forca masive e tornadove.

Tornado ka qene aq i fuqishem sa ka nxjerre nga shinat trenin/ Photo credit: Reuters

Siç raporton Reuters, autoritetet thanë se ka pak shanse që të gjenden të mbijetuar nën rrënojat e lëna pas nga stuhia e tornadot që goditën SHBA-të. Kjo është një ngjarje krejt e pazakontë dhe që ka habitur ekspertët e meteorologët në SHBA, pasi tornado e të tilla stuhi ndodhin përgjatë pranverës.

Përveç banesave të qytetarëve, tornado në Kentuki shkatërroi çfarë gjeti përpara gjatë ‘rrugëtimit’ të tij prej 320 kilometrash. Një fabrikë e tërë u shkatërrua në Ilinois, duke lënë të vdekur të paktën 6 persona. Në Mizuri, një azil për të moshuarit u rrafshua nga tornado. Më shumë se 70 mijë persona kanë mbetur tashmë pa energji elektrike në Tenesi.

Por goditjen më të madhe e pësoi qyteti i vogël i Mejfildit në Kentaki, ku tornadot shkatërruan një tjetër fabrikë, godinën e zjarrfikësve e stacionin e policisë. Përgjatë qytezës me 10 mijë banorë, dhjetëra shtëpi u shkatërruan.

Më poshtë disa pamje me dron, të përcjella nga BBC

Reuters sjell rastin e një 66 vjeçareje me të birin 25 vjeç, të cilët arritën t’i shpëtojnë tornados duke u shtrirë në tokë në hollin e shtëpisë, e vetmja pjesë e godinës e cila nuk u shkatërrua nga forca e jashtëzakonshme e tornados e stuhisë. Gruaja tregoi se kjo ishte një goditje e madhe për të, pasi dy vite më parë shtëpia i ishte djegur, për t’u pasuar më pas me vdekjen e të shoqit.

“I humba të gjitha sërish” tha gruaja, teksa qëndronte në dhomën e ndenjes, në një shtëpi të shkatërruar tërësisht nga tornado.

Një tjetër rezident i Mejfild, Jamel Alubahr, tregoi se nipi i tij tre vjeçar gjeti vdekjen si pasojë e stuhive të fuqishme, ndërsa e motra ndodhej në spital me një frakturë në kafkë, pasi u godit nga rrënojat që fluturuan nga shtëpia e saj.

Më poshtë disa foto të sjella nga Associated Press