Pamjet nga ndërtimi në Thumanë! Elvis Naçi shpjegon punimet për 170 banesa dhe i përgjigjet skeptikëve

 Pamjet nga ndërtimi në Thumanë! Elvis Naçi shpjegon punimet për 170 banesa dhe i përgjigjet skeptikëve

Pas një pune kolosale me gatitjen e terrenit dhe shtrirjen e rrjeteve infrastrukturore, kanë nisur të duken shtëpitë e reja për banorët e Thumanës.

Puna ka filluar prej tre javësh tashmë dhe shtëpiat janë në ndërtim. Emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët udhëtoi drejt Thumanës, për të ndjekur nga afër atë u bë një amanet ‘i rëndë’ 9 milionë e 50 mijë euro, që shqiptarët dhanë në formën e donacionit për të prekurit nga tërmeti tek emisioni i shqiptarëve.

Elvis Naçi e Sidrit Bejleri zgjodhën që ta bëjnë një punë dhe ata në Thumanë, në vendosjen e disa tullave për njërën prej 170 banesave që do të ndërtohen.

“Jam shumë i kënaqur me të vërtetë, që po e vë dhe unë një tullë.”-thotë Elvis Naçi, teksa së bashku me Sidrit Bejlerin kanë ‘përveshur mëngët’ dhe punojnë me llaçin e tullat.

Vizitës në Thumanë i bashkohet dhe Eneida Xhelili, e cila pyet punëtorët si po shkojnë punët. Nga pamjet, duket se gjithçka ecën me ritme të shpejta dhe tashmë lagja e re ka marrë formën e saj të parë.

Naçi shpjegon se vendi ku po punohet për ngritjen e 170 banesave është jo i njëjtë me tokën që lëkundi e hodhi përtokë banesat e pallatet në Thumanë.

Naçi: Po ta shikosh janë hapur shumë fronte. Ne dëshirojmë të ecim shpejt dhe ai kontribut që dhanë shqiptarët të bëhet prezent sa më shpejt, se njerëzit me thënë të drejtën janë në çadra. Dimri po vjen dhe ne themi të ecim sa më shpejt me profesionalizëm e cilësi.

Bejleri: Besoj njerëzit kanë kuptuar se dikush po interesohet për ta, se nuk po don me i lënë në baltë. Një thirrje u bë dhe të gjithë u ngritën në këmbë, e sidomos shqiptarët nga Kosova, që kanë reaguar në kohë rekord. Por kuptohet se ne kemi ndenjur me logjikën që ‘matu 7 herë dhe prit një herë’. Por ama tashmë këtu po punohet, gjërat po lëvizin.

Por pse Thumana e jo Durrësi është fokusi i ‘Shqiptarët për Shqiptarët’?

Naçi: Duke menduar se Durrësi është qytet dhe rehabilitohet më shpejt, ne menduam të japim një dorë për Thumanën… pa e ditur se ku do të shkojmë. Ne nuk menduam se do të vinte kjo situatë që ne do të merrnim bekimin për të ndërtuar shtëpiat e shqiptarëve.

Ishte një kaos (26-27 nëntor). Kufomat ishin ende poshtë nën rrënoja. Ambulancat ishin aty me shpresë se do të dilte dikush i gjallë. Unë kam rastisur aty kur dy shqiptarët tonë dolën të pajetë prej rrënojave. Situata ka qenë kaotike dhe aty e kuptova që kemi marrë përsipër diçka që ja vlente.

Të nesërmen kam ardhur përsëri dhe në kohën që ne qëndronim aty përpara rrënojave, vijonte të binin tërmete. Aty po punohej ende për të nxjerrë njerëzit.

Ne kishim dëshirë të vendosnim një tullë të rindërtimit në hallin e madh që i ra shqiptarit. Ëndrrat duhet të jenë shumë të bukura tek çdo njeri. Ka shumë njerëz që kanë ëndrra por nuk i arrijnë, sepse nuk janë të durueshëm…ne sot jemi në Thumanë dhe jemi në një gëzim sepse shikojmë se po ndërtohet diçka e madhe dhe ne jemi bashkarisht shkaku.

Por këto ëndrrra, po flas personalisht në këtë rast, unë i kam pasur prej 15 vitesh. Por normal që para 15 vitesh nuk kam arritur asgjë nga këto që po bëjmë sot, por ama qëllimin e kam patur. Dhe nuk kam qenë i padurueshëm sepse e mira duhet të zejë rrënjë në zemër. Biles më mirë kur ajo vjen në një moshë të pjekur, kur ti të mirën e përkthen me një të mirë, e jo për mendjemadhësi, jo për t’u dukur… kurse kur vjen në kohën jo të duhur, ti nuk di ta menaxhosh atë. Kjo është pak a shumë në pak minuta, ajo që mund të thoja për Thumanën.

Por disa persona kanë qenë skeptikë për misionin e madh që mori në shpatulla ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ dhe Elvis Naçi. Se banesat nuk do të bëheshin dhe se paratë në një mënyrë ose në një tjetër, do të zhdukeshin. Elvis Naçi tha se kjo ‘pakicë’ fatkeqësisht edhe është nxitur nga persona të caktuar, të cilëve ai nuk ua përmendi emrin.

Më tutje Naçi theksoi se e mirëkupton dyshimin dhe skepticizmin, pasi ato janë hapi i parë drejt sigurisë në momentin që paraqiten provat. Dhe sot tashmë, provat janë të ‘gjalla’ dhe ‘flasin’. Elvisi shpjegoi gjithashtu se përse procesi ka zgjatur në kohë.

Naçi: Jam me parimin që nuk arrihet asnjëherë tek siguria pa kaluar tek skepticizmi apo dyshimi. Normale që ka patur një pakicë që kanë thënë nuk do ta bëjnë, sepse 9 mln e 50 mijë euro për disa shqiptarë… edhe për 950 mijë lekë të vrasin, e prishet vëllai me vëllanë e vet, e nuk ia jep nënës e babait të vet. Shqiptarë janë dhe ata, por janë gjakprishur.

Duke mos na njohur, duke mos e ditur që edhe me qenë 9 miliardë për ne njëlloj është… kjo pakicë edhe u nxit e fatkeqësisht për mua që e di se kush i ka nxitur… por gjithsesi, ne jemi mësuar që ta keqen ta kthejmë në të mirë.

Pa dyshim që kjo vonoi. Të martën ra tërmeti, të mërkurën ne kemi qenë këtu. Morëm përsipër një diçka me të vërtetë të madhe, por shqiptari ka diçka, ka besë. Kjo do të thotë se ato para, 9 milionë e 50 mijë euro, janë dhe kanë mbetur në bankë. Ne me ato mund të blenim dhe hyrje e t’i fusnim banorët nëpër shtëpia, por në atë kohë u bë një tryezë rindërtimi dhe ne dhamë besën që ne do ta bëjmë bashkarisht këtë gjë. Dhe u donte gjithë kjo infrastrukturë, që është tenderuar, se janë lejet e ndërtimit, projekti i ndërtimit, të cilin nuk e kemi bërë vetë.

Sidrit Bejleri: Vis mos harro që edhe korona solli vonesa tjera

Naçi: Po patjetër. Ne i qëndruam besnik asaj që folëm në atë tyrezë. Dhe shqiptari ka një besë, njëherë flet. Të paktën unë kështu jam gatuar. Në bankë mbetën patatë të ngrira derisa puna filloi.

Shumica e njerëzve kanë qenë gjithmonë besimplotë se ne pas tërmetit kemi vazhduar aktivitetin e bamirësisë dhe njerëzit kanë qenë edhe më shumë bamirës. Edhe një pakicë që me të drejtë nuk e beson se ka shqiptarë që nuk ruajnë amanetin e 9 milionë e 50 mijë eurove… nuk ndodh shpesh, të flasim drejt. Ne duhet ta themi që kemi edhe shqiptarë hajdutë, ta themi troç këtë. Mendoj që një nga ëndrrat tona të përfunduara do të jetë kur Thumana të jetë ndërtuar e tëra. Ne amanetin do ta tregojmë deri në fund dhe paratë e mbetura do t’i tregojnë, ato do të shkojnë për tërmetin.