“Para nuk fitova, por mora lumturi” Historia e 71 vjeçarit, ktheu vendin ku hidheshin plehrat në pyll

 “Para nuk fitova, por mora lumturi” Historia e 71 vjeçarit, ktheu vendin ku hidheshin plehrat në pyll

Afro 27 vite më parë, Sehmus Erginoglu, sot 72 vjeçar, vendosi të bëjë diçka për një zonë të shkretuar pranë qytetit të tij të lindjes në jug të Turqisë. Zona në fjalë, ishte një vend që më shumë përdorej për hedhjen e plehrave.

Me punë shofer i një kamioni, Sehmus nis të pastrojë vendin nga plehrat dhe vendos të instalojë disa tubacione për kalimin e ujit. Në zonë më tutje hapi afro 50 puse dhe që nga ajo kohë nisi të mbjellë pemë. Punoi për 27 vite dhe e ktheu një zonë të shkretuar në pyll të gjelbëruar.

“Unë nuk bëj para prej kësaj pune, ama kjo punë më sjell lumturi të madhe. Kur pemët rriten, bëjnë fruta, njerëzit vijnë këtu… hanë frutat, shijojnë freskinë e hijeve të pemëve dhe lumturohen”-tregoi i moshuari në një rrëfim për median e huaj.

I moshuari arriti të mbjellë afro 30 mijë pemë në 3 dekada punë, ku 11 mijë prej tyre formuan pyllin pranë qytetit, ndërsa të tjerat u mbollën në vende të ndryshme, përfshi edhe fshatra të tjerë aty pranë. I pyetur se përse shpenzoi kaq shumë mund, kohë e para (të tijat kryesisht) për pemët, i moshuari jep një përgjigje mjaft domethënëse.

“Kur njerëzit vdesin, ata s’mund të marrin paratë e tyre me vete në botën e përtejme, ama, të mirat që kanë bërë, shkojnë me ta”

“Këtu vijnë mijëra njerëz gjatë verës… sigurisht një ditë do të vdesim të gjithë, por unë dua të jem i lumtur, të bëj të tjerët të lumtur dhe të lë diçka të mirë pas”-përmbylli i moshuari.