Për 56 vjet shtëpia e tyre strehoi mbi 600 fëmijë jetimë, sot të moshuarit dalin në ‘pension’

 Për 56 vjet shtëpia e tyre strehoi mbi 600 fëmijë jetimë, sot të moshuarit dalin në ‘pension’

“Kujtoj kur në shtëpi na erdhi një vajzë tre vjeçe që nuk fliste, nuk të shihte në sy e nuk donte asnjë kontakt fizik me njeri. Ishte një proces i gjatë me të, derisa një ditë erdhi afër meje dhe dorën e saj të vogël, e vendosi tek duart e mia… Ajo vajzë sot duhet të jetë në moshën 30 vjeçare, por mua më ka mbetur në mendje ajo ditë. Duket si diçka e vogël, por në fakt nuk ishte e tillë”

Kështu kujton sot 81 vjeçarja Paulina, e cila së bashku me të shoqin Roxher, i kanë mbajtur hapur dyert e shtëpisë së tyre për fëmijët në nevojë për 56 vite me radhë. Me t’u martuar në shtator të vitit 1965, të parin fëmijë jetim për të cilin u kujdes çifti ishte një fëmijë i porsalindur,  i sëmurë me bronkit. Paulina punonte si infermiere në një rezidencë ku kishte fëmijë të vegjël apo bebe që prisnin të adoptoheshin.

“Më dhimbte zemra kur shihja ata fëmijë që vinin në institut (për t’u adoptuar) dhe i premtova vetes që kur të martohesha, do të kujdesesha për ta si prind kujdestar”-kujton e moshuara.

Që nga ajo kohë e largët, Paulina e Roxheri kanë mirpritur në shtëpi më shumë se 600 fëmijë… më shumë se 600 thonë të moshuarit me të qeshur, pasiqë ‘harruan’ të numërojnë saktë pas disa vitesh, numrin e fëmijëve që kanë mbajtur në shtëpi si prindër kujdestarë.

“Nuk mendoj se në ndonjë pikë në kohë, unë e ime shoqe menduam se boll bëmë. Ne i shihnim rezultatet e punës sonë dhe ishte diçka e bukur”-thotë Roxheri, tashmë 86 vjeçar.

Tashmë pas 56 vitesh, Paulina e Roxheri kanë vendosur të dalin në ‘pension’, pasi mosha e tyre e mundësitë fizike nuk janë më ato të dikurshmet. E përgjatë punës për të qenë prindër kujdestarë të jetimëve, të dy kanë rritur 5 fëmijët e tyre, përfshi këtu dhe një fëmijë që e kanë adoptuar vetë.