Për çfarë shpenzojnë më së shumti shqiptarët

 Për çfarë shpenzojnë më së shumti shqiptarët

INSTAT ka publikuar anketën e buxheti të familjeve në Shqipëri për vitin 2020 dhe rezulton se shumica e parave të shqiptarëve shkon për të siguruar ushqimet. Të dhënat tregojnë se 41.6% e të ardhurave të familjeve, shkon tek ushqimet.

Burimi: INSTAT

Sipas INSTAT, shpenzimet mujore kapin një vlerë prej afro 35 mijë lekësh. Krahasuar me 2019, rritja për shpenzime në ushqime ka qenë e lehtë, vetëm 0.3%. Në lidhje me nëngrupet e shpenzimeve për ushqim, peshën kryesore e zënë ‘mish dhe nënprodukte’ (23.7%), ‘Perime’ (16.8%), “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” (13.8%) dhe së fundmi ‘fruta’ (9.6%).

Në raport me mesataren e Bashkimit Europian, Shqipëria mbetet një ndër vendet ku shpenzohet më së shumti për ushqime. Në vendet e BE-së ushqimi zë afro 13% të totalit të të ardhurave të shpenzuara.

Ardhja e pandemisë ndërkohë ka ndryshuar shpenzimet e familjeve. Një rritje e ndjeshme (prej 28%) është shënuar në shpenzimet për grupin “Shëndet”.

Uljen më të ndjeshme e ka shënuar grupi “Argëtim e Kulturë” me 26.4%, ndikuar edhe nga masat anti-Covid përgjate 2020.

Njësi Ekonomike Familjare- (NjEF)/ Burimi: INSTAT

Përsa i përket qyteteve ku shpenzohet më shumë, Tirana mban vendin e parë, ndërsa në fund të listës qëndron Kukësi, ndjekur nga Dibra.