Përfundon arratisja e 31 vjeçarit, qëlloi për vdekje ish të shoqen pak kohë pas daljes nga burgu

 Përfundon arratisja e 31 vjeçarit, qëlloi për vdekje ish të shoqen pak kohë pas daljes nga burgu

Nëna e një fëmije të mitur humbi jetën mbrëmjen e djeshme në Zhupan të Fierit. 23 vjeçares ia mori jetën ish bashkëshorti. Elton Metaj nuk kishte shumë kohë që kishte dalë nga burgu dhe ka shkuar në banesën e prindërve të ish të shoqes. Ka qenë i armatosur me një armë automatike e ka qëlluar 23 vjeçaren, e cila ka gjetur vdekjen.

Më tutje Elton Metaj është larguar nga vendngjarja dhe është fshehur në një pyll. Autoritetet dhe forcat speciale kanë nisur ndjekjen dhe pas disa orësh e kanë vënë në pranga 31 vjeçarin. (shiko videon më poshtë)

Një vit më parë Eltoni ishte burgosur, pas një ngjarje që kishte frikësuar të gjithë familjen e ish të shoqes. 31 vjeçari kishte shkuar në shtëpinë e ish bashkëshortes i armatosur dhe kishte deklaruar se do të vetëvritej. Policia kreu në atë kohë 5 orë negociata me 31 vjeçarin, derisa ai u dorëzua.

Pas kësaj ngjarje i riu u burgos, por qelinë e la pas disa muajsh, në korrik të këtij viti.

Armando, vëllai i të ndjerës S.B, foli shkurtimisht mbrëmjen e djeshme për ngjarjen tragjike. Ai tregoi se e motra po hante bukë në shtëpi, në momentin kur ish bashkëshorti ka ardhur për t’i marrë jetën. Armando bën fajtorë gjykatën e prokurorinë që kanë lënë të lirë 31 vjeçarin.

“Mamaja kishtë dëgjuar derën, e kishte vënë re që nuk isha unë që kisha ardhur… ai kishte dalë nga burgu. Nuk e di pse ai ka dalë, por fajin e kanë ata gjykatës e prokurorë të korruptuar. Mua më tha ime shoqe që është shtatzënë. Më tha që ka kërkuar të më vrasë dhe mua, por ai ishte një frikacak që të vret nga prapa krahëve. Unë nuk jam në gjendje të flas, jam i tronditur. Plumbi e kishte kapur në mushkëri motrën, ka vdekur në vend.”

Më poshtë njoftimi i policisë, për kapjen e 31 vjeçarit:

Kapet në kohë rekord dhe arrestohet nga Policia autori i vrasjes së ish-bashkëshortes në fshatin Zhupan mbrëmjen e djeshme.

Pas 3 orë ndjekjesh në kushte të vështira për shkak të errësirës dhe rrezikshmërisë që kishte ky person pasi ishte i armatosur, u kap nga Policia në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan autori bashkë me armën e krimit.

Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zhupan, në banesën e ish-vjehrrit, shtetasi Elton Metaj ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, shtetasen S. B., menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe organizuan punën për kapjen e autorit i cili ishte larguar nga vendngjarja me një motomjet.

Pas 3 orësh ndjekje, nga strukturat e DVP Fier, Forca Operacionale, Forca e Posacme “Shqiponja”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim dhe me 2 grupe të FNSH Fier, falë veprimeve të shpejta, të mirëorganizuara dhe profesionale, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, bashkë me armën e krimit automatik dhe motomjetin me të cilin u largua nga vendngjarja të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” shtetasin Elton Metaj, 31 vjeç, banues në Peshtan( i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje” ).

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.