Përplasja e shtyu makinën 33 metra, si ndodhi aksidenti që shuajti familjen Gushi në Vlorë

 Përplasja e shtyu makinën 33 metra, si ndodhi aksidenti që shuajti familjen Gushi në Vlorë

Disa ditë më parë 4 anëtarët e familjes Gushi u shuan, në një aksident që sipas ekspertëve ka ardhur si pasojë e shpejtësisë së madhe që ka patur makina ‘Audi’ që i përplasi, nën drejtimin e të riut Igli Madani.

Report tv ka publikuar skicën e kryer nga ekspertët, që shpjegon mënyrën sesi ka ndodhur aksidenti tragjik në autostradën Fier- Vlorë. Makina e familjes së ndjerë pas goditjes është rrotulluar.

Pas disa rrotullimeve, automjeti është përplasur me bordurën, ka dalë nga rruga dhe ka vijuar lëvizjen për plot 33 metra të tjera.

Makina ka qenë aq e dëmtuar, saqë familjarët, (Eduart Gushi, 44 vjeç, Silvana Gushi, 33 vjeçe, A. Gushi, 14 vjeçe dhe E. Gushi, 9 vjeçe) kanë mbetur të bllokuar në makinë.

Thirrja e nënës së Silvana Gushit

Të gjithë të veshur me të zeza, në bluzë stampuar një foto të 4 të shuarve në aksident. Të afërmit e familjes Gushi janë mbledhur në një protestë paqësore (dje), ndërsa ajo që ka folur ka qenë nëna e Silvanës. Thotë se familjarët e të riut që shkaktoi aksidentin, as nuk kanë marrë mundimin për të kontaktuar apo për të ngushëlluar. Kërkon drejtësi për 4 jetë të shuara dhe jep këto mesazhe:

“I lutem shumë qeverisë të marrë masa, t’i çojë atje ku e meritojnë se katër fëmijët e mi po hanë dhe, nëna ka 5 ditë sot është helmuar dhe është tërë jetën e helmuar. Më mbyllën derën e vajzës, vajza ime erdhi me pushime, erdhi te prindërit si gjithë emigrantët dhe i la kockat me fëmijë nga një djalë që nuk është i edukuar.

Vajza ime ishte e thjeshtë, familje e thjeshtë, kishte vajtuar ne emigrim për t’u ushqyer dhe i morën jetën këta rrugeçër. Nënat të më dëgjojnë dhe t’i flasin fëmijëve. Mos t’i japin makina 100 apo 200 mijë euro.

Më është helmuar kocka, shpirti, më është mbyllur shtëpia e vajzës. Jam e vrarë, ju lutem të më falni nëse unë flas ndonjë fjalë, por jam nënë dhe të gjitha nënat e dinë si janë.

Nuk kam më nevojë për ata, sot është vonë. Ai të vinte të më trokiste në derë, unë nuk ja prisja kokën sepse nuk jam për hakmarrje. Dua ligjin si e meriton. Edhe djali im ta kishte bërë do thosha atje të kalbet”, tha nëna e Silvanës.

Ditari i 14 vjeçares së shuar në aksident

Familja po mbërrinte nga Greqia drejt Shqipërisë për të kaluar pushimet verore dhe për të takuar të afërmit. Në ditarin e saj, një bllok i vogël ngjyrë rozë, vajza e madhe e familjes Gushi shkruante këto fjalë:

“Sapo filloi behari, dhe për një muaj do të shkojmë në Shqipëri. Jam shumë e lumtur që do të takoj nënën, gjyshin, tezen. Dua kur të vete në Shqipëri, të dalë dhe të blej shumë gjera. Dua të vete në shumë vende që nuk kam vajtur dhe të blejë shumë gjëra. Po nuk vajtën se di. Babi do na blejë shumë gjëra, tabletë të dyjave. Bëj shaka. Dua shumë të vete, por dua dhe të marr tabletin, se s’bëj mësimet. Sot vajtëm nga parku dhe lozëm. U kënaqëm. Por jam e mërzitur dhe nuk e di pse. Tani po rrimë dhe babi do iki në punë.

Junakuk, kanë mbetur edhe 15 ditë për të vajtur në Shqipëri, jam shumë e lumtur të vemi në Shqipëri. Atje do kënaqemi. Do jem e lumtur. Jam e lumtur. Ti ke thënë që të jem e lumtur dhe do jem shumë e lumtur. ‘Junakuk’ dua të them se e nxora mesataren këtë vit 16, por vitin tjetër të premtoj se do ta nxjerr më shumë. Të jap llafin… është ora 23:06 minuta mami iku në spital, babit i kishte rënë të fikët. Kunakuk erdhi babi, bëri një gjilpër, por i dhemb mesit, pas 3 ditësh do shkojmë në Shqipëri, jam shumë e lumtur që babi është mirë.