Polonia shënon gol ndaj Shqipërisë! Ndeshja ndërpritet pasi disa tifozë nisin të qëllojnë polakët

 Polonia shënon gol ndaj Shqipërisë! Ndeshja ndërpritet pasi disa tifozë nisin të qëllojnë polakët

Një moment i shëmtuar në “Air Albania”. Ishte minuta e 77’ kur Polonia pas disa tentativash, arriti të mposhtë mbrojtjen e gardianin e kuqezinjve. Një krosim nga e djathta dhe një goditje Karol Swiderski solli golin e polakëve.

Por menjëherë sapo polakët shënuan, disa tifozë nisin të lëshojnë shishe plastike e sende të tjera në drejtim të polakëve të cilët po festonin për golin e tyre.

Ndeshja u ndërpre, ndërsa rasti i hedhjes së shisheve ishte i dyti. Ende nuk dihet nëse ndeshja do të vijojë.

Pas disa minutash u dha një njoftim zyrtar me spiker ku njoftohej se gjyqtari i ndeshjes ishte i gatshëm të pezullonte krejtësisht ndeshjen, nëse do të hidhet edhe një shishe tjetër e vetme në fushë.

Më poshtë komenti i plotë për ndeshjen

Pjesa e parë

Minutat e para të ndeshjes panë një Shqipëri këmbëngulëse që shpesh herë rrezikoi mbrojtjen e polakëve. Dy raste të humbura nga sulmi i Shqipërisë sollën drithërima tek kundërshtari, ndërsa trajneri i polakëve Paulo Sousa u pa mjaft i tensionuar.

Në mesin e pjesës së parë Polonia tentoi me krose në brendësi të 16 metërshit të kuqezinjve, por pa rezultat. Në tërësi 45 minutëshi i parë pati një balancë mes skuadrave. Edhe në statistika, skuadrat kanë qenë të barabarta me mbajtjen e topit 58% (Polonia) e 42% (Shqipëria). Shqipëria goditi dy herë por jashtë portës, ndërsa Polonia qëlloi një herë në portë.

Pjesa e dytë

Pjesa e dytë solli në fushë një Shqipëri edhe më të motivuar. Në 10 minutat e para kuqezinjtë frikësuan polakët me disa aksione nga krahët. Ashtu si në pjesën e parë, Roshi luajti në formë mjaft të mirë duke rrezikuar mbrojtjen e Polonisë me zhdërvjelltësinë dhe pasimet e tij.

Një moment i shëmtuar është regjistruar në minutën 55’ kur Polonia po bëhej gati për një goditje këndi. Disa tifozë kanë nisur të hedhin shishe plastike në drejtim të lojarit të Polonisë, duke ndaluar kësisoj për disa momente ndeshjen.

Në minutën e 58’ tifozeria shpërtheu në brohorima, teksa në fushë hyri heroi i momentit për kuqezinjtë, 20 vjeçari Armando Broja. Uzuni i la vendin Brojas. Një ndeshje jo fort e mirë për Uzunin.

Minuta e 67’ ishte një moment frike për portën e kuqezinjve, teksa topi u përplas mes lojtarëve duke rrezikuar seriozisht një gol me karambol

Një tjetër drithërimë për tifozët kuqezinj.  Kryxhoëiak i rrëmben një top Bares dhe shkon i pamarkuar drejt 16 metërshit. Pason në qendër por goditja e Zielinskit fatmirësisht shkon jashtë kuadratit. Një moment tipik që tregon sesa kollaj mund të pësosh një gol. Kuqezinjtë duken të lodhur .

Minuta e 77’. Vjen goli i Polonisë. Mbrojtja nuk mundi të jetë e shpejtë. Një kros gjeti të papërgatitur mbrojtjen e kuqezinjtë pësuan golin e parë. Shënoi Swiderski.

Një tjetër moment i shëmtuar u regjistrua fill pas golit të Polonisë, ndërsa shumë tifozë nisën të hedhin sërish shishe e mjete të tjera në drejtim të lojtarëve polakë.

Ndeshja u ndërpre për disa minuta.