Prindërit e kërkonin prej ditësh, 12 vjeçarin e shfrytëzonte si lypës në Sarandë një grua

 Prindërit e kërkonin prej ditësh, 12 vjeçarin e shfrytëzonte si lypës në Sarandë një grua

Një grua 50 vjeçare në Sarandë, është ndaluar nga autoritetet policore pasi u kap duke shfrytëzuar një të mitur

50 vjeçarja u kap në flagrancë, ndërsa prej të paktën dy ditësh prindërit e një 12 vjeçari po kërkonin të birin, banues në lagjen nr.6 të Bathores, Tiranë.

Madje prindërit e të miturit R.T e kishin përcjellë shqetësimin e tyre dhe në rrjetet sociale e media, duke publikuar foto, me shpresën se djalin e tyre do ta kishte parë dikush.

Policia njoftoi këtë të mërkurë se 12 vjeçari ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe se po shfrytëzohej si lypës nga ana e 50 vjeçares nga Saranda.

“Paraditen e djeshme, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me DVP Tiranë,  u bë e mundur gjetja e shtetasit të mitur R. T., 12 vjeç, i cili ishte larguar disa ditë më parë, nga banesa e tij në Tiranë. I mituri aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, shtetasja B. M., 50 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi është konstatuar duke shfrytëzuar 12-vjeçarin për të lypur”, njofton policia