Reportazhi i BBC për liqenin e Ohrit dhe krijesat e saj unike

 Reportazhi i BBC për liqenin e Ohrit dhe krijesat e saj unike

Poshtë sipërfaqes së tij misterioze, liqeni i Ohrit është liqeni më biodivers në të gjithë botën. Sot, peshkatarët po mundohen të shpëtojnë ‘fosilet e gjalla’ nga zhdukja.

Është ora 8 e mëngjesit, në ajër ka një freski, teksa shoh drejt horizontit të liqenit. Ohri shtrihet në kufirin mes Shqipërisë e Maqedonisë.

Një grup i vogël varkash druri, të gjitha të lyera në ngjyrë, nisen drejt bregut. Një prej tyre vjen afër meje. Një burrë në moshë që mban në kokë një kapelle bejzbolli. Peshkatarët këtu dalin çdo ditë në orën 4 të mëngjesit për të kapur troftën e Ohrit, e cila në brigjet shqiptare njihet si korani.

Është një specie që gjendet vetëm në këtë liqen dhe është shumë i kërkuar në të gjithë rajonin për shkak të shijes së tij të mirë. Ky peshk ka qenë i njohur që në kohët e mesjetës, e madje dhe në poezitë e asaj kohe.

Problemi është se, popullariteti i peshkut, sot rrezikon ekzistencën e species. Në vitet ’90, kapja vjetore e peshkut në liqen ishte më shumë se 120 tonë. Por nga vitet 2012-18, shkoi në rreth 61 tonë.

“30 vite më parë me 5 rrjeta mund të kapnim deri në 30 kg peshk”-thotë Roland Bicja, një peshkatar nga Lini, i cili shton “tani vendosim 100 grepë në liqen, e me zorr kapim 3 kg”.

Çdo familje në këtë zonë, ka një histori të gjatë në peshkim e shumë prej shtëpive zotërojnë varkat e tyre. Babai e gjyshi i Rolandit kanë qenë peshkatarë dhe ai e përshkruan të shkuarit në liqen çdo mëngjes, si nje eksperiencë thuajse spirituale.

“Kur jam në varkë, më duket sikur im atë është me mua”

Por Rolandi dhe kolegët e tij peshkatarë, e dinë se ndodhen në një situatë delikate. Ato duhet të kapin troftën e Ohrit për paratë, e nëse kapin shumë prej saj, mund të mbeten pa asgjë në fund.

E për këtë, ai së bashku me peshkatarët e tjerë janë pjesë e një projekti që synon në shtimin e koranit në Ohër. Nga dhjetori deri në mars, kapësit komercialë nuk lejohet të peshkojnë. Në të kundërt, peshkatarët paguhen që të kapin troftat dhe t’i marrin vezët pa i vrarë peshqit, në mënyrë që vezët të farëzohen artificialisht.

Vezët dërgohen në një godinë kultivimi, ku rriten për afro 10 muaj Më tutje peshkatarët paguhen sërish që t’i lëshojnë peshqit në ujë. Është një zgjidhje mjedisore e sociale për problemin me të cilin sot po përballen të gjitha komunitetet e peshkatarëve kudo në glob.

Liqeni i Ohrit është një ndër më të vjetrit në botë dhe mendohet të jetë krijuar mes 4 deri në 10 milionë vite më parë. Ngjyra hipnotike mes blusë dhe jeshiles së ujit, e rrethuar nga male mbuluar me borë e disa qyteza e fshatra, përreth Shqipërisë e Maqedonisë.

Pa çka se peshkimi i tepruar ka qenë problematik, nuk është i vetmi. Ndërtimet dhe ndotja kanë qenë po ashtu shqetësim i madh gjatë dekadës së fundit.

“Në vitet 1978 liqeni ishte i paprekur”-thotë Mechtild Rossler, drejtues i qendrës për pasuritë e botës në Unesco. “Por me kalimin e kohës, çështja u bë shqetësuese.

Liqeni më vete shpesh njihet si Galapagosi i Europës, për shkak të numrit të lartë të specieve që gjendet vetëm atje. Janë afro 212 në total, duke nisur nga algat e zooplanktoni, e deri tek bimësia, kërminjtë e krimbat. 17 janë speciet e peshkut, nga të cilat 8 janë endemike.

“Shkencëtarët e quajnë një museum të fosileve të gjalla”-thotë Spase Shumka, një profesor në universitetin bujqësor të Tiranës. E në afro 6 milionë vitet e izolimit në liqen, speciet atje janë krejt unike.

Shumka tregon se liqeni është oligotrofik, “që do të thotë se është një liqen i pastër me pak nutrient në të”

Edhe është kjo ajo që e bën ujin e liqenit aq të bukur, e madje edhe të pijshëm për njerëzit. Por nga ana tjetër ka edhe një nivel produktiviteti të ulët, thënë me fjalë të tjera, peshqit atje shumohen me një ritëm më të ngadaltë krahasuar me liqenet e tjerë.

Korani përshembull kërkon afro 5 vite që të arrijë maturitetin e pavarësisht kësaj kohe, arrin të prodhojë afro 2- 2500 vezë për kilogramë të peshës trupore. Krahasuar me krapin, i cili prodhon 500 mijë.

Shumka tregon se trofta e Ohrit është një ndër dy predatorët kryesorë në liqen, e nëse numri I tyre bie, atëherë impakti është mbi të gjithë gjallesat e liqenit.

Gjatë kohës së komunizmit, situata në të dyja kahet e liqenit ishte përgjithësisht stable. Peshkimi bëhej vetëm nga kompanitë shtetërore e kësisoj, numri i troftave të kapura ishte krejtësisht i kontrolluar. Edhe farëzimi artificial mbante numrat e peshkut në nivele të larta. Rolandi kujton kohën kur ishte fëmije dhe shihte sesi liqeni mbushej me peshk

“Ne nuk lejoheshim të kapnim peshk vetë në ato kohë, po mbaj mend kur isha nja 12 vjeç, dilja për të notuar e peshkoja me një grep të vogël”-kujton Rolandi.

Por gjithçka ndryshoi me ndryshimin e regjimit në vitet 90’. Kolapsimi i regjimeve komuniste solli kaos të madh, rregullat e sistemet e ngritura u rrëzuan. Duke qenë se trofta e Ohrit ishte një ndër peshqit më të kërkuar, dhe se institucionet ishin të dobëta, shumë njerëz e panë peshkimin e koranit si një mënyrë për të bërë para.

“Papritmas, të gjithë i gjeje në liqen, 100 apo 200 varka”-kujton Rolandi.

Kjo gjendje vazhdoi për disa vite duke sjellë një rënie të popullatës në liqen.

Në vitin 2005, Banka Botërore pranoi të financonte një godinë për kultivimin e farëzimin e troftës. Godina do të kishte një kapacitet prodhimi (larvash peshku) në afro 1 milionë të tilla. Unë e vizitova godinën gjatë vizitës sime në Lin. Aty takoj Çelnike Sheganin, e cila e ka drejtuar këtë punë qëkur ajo është hapur.

“Është puna e jetës sime… edhe nipërit e mbesa më pyesin, hë si i ke peshqit?”-thotë gruaja.

Në liqen ka ende peshkim të paligjshëm edhe pse shoqatat e peshkatarëve e kanë autoritetin për t’i ndaluar e konfiskuar ato që kapin”

“Nuk besoj se ndonjëri mund ta zhdukë krejtësisht këtë fenomen por ne mund të punojmë që ta reduktojmë atë”- thotë Zoran Spirkovski, drejtuesi i seksionit të peshkimit e agrikulturës, në institutin maqedonas të Hidrobiologjisë

Për ata që jetojnë pranë liqenit dhe e kanë të lidhur jetesën me të, shpresat janë se një ditë do të marrin asistencën e nevojshme që duhet për të konsevuar këtë vend unik në botë. Dy vite më parë Ohri u rekomandua të vihej në listën e Unesco-s të për trashëgimitë në rrezik. Nëse do të vendoset në këtë listë në të ardhemn, do të shtohej vëmendja e komunitetit ndërkombëtar, që të vinte re nevojat.

Pavarësisht perceptimit ndërkombëtar për peshkun, këtu në liqenin e Ohrit, njerëzit që jetojnë me të dhe liqenin, ia dinë rëndësinë.

“Trofta e Ohrit është gjëja më e rëndësishme që kemi në fshat dhe gjithkush duhet ta ruajë atë”-thotë Roland Bicja.

Burimi: BBC/ Përktheu me disa shkurtime: Shqiptaretpershqiptaret.info