Rrëfimi i të moshuarit, mjeshtër i thuprave: Jam në pension, por ky është zanati i gjyshërve e babait

 Rrëfimi i të moshuarit, mjeshtër i thuprave: Jam në pension, por ky është zanati i gjyshërve e babait

Mbase ju ka rastisur të shikoni shporta apo kanistra. Këto objekte vijnë nga dora e zanatçinjve si Pëllumbi.

E në fakt kjo traditë është e vjetër, aq e vjetër sa historia e njeriut. Pëllumbi është në moshë pensioni. Ai tregon në një prononcim për Tch, se të hollat e pensionit janë të pakta, e kësisoj zanati i trashëguar nga gjyshi e babai, nuk e ka lënë në baltë.

“Këtë zanat e kemi brez pas brezi traditë. E kemi ndjerë veten ngushtë këto një vit e gjysëm e ky zanat nuk të lë pa bukë. Thjesht sepse kam një pension minimal prej 49 mijë lekësh të vjetra. Jam i operuar nga zemra e ky zanat i gjyshërve tanë të ndihmon”

Pëllumbi tregon se bën kosha, shporta e kanistra. Pavarësisht bukurisë e elegancës që përcjellin këto objekte, Pëllumbi tregon se fitimet janë të pakta.

“Unë bëj shporta, kosha, kanistra. Por edhe nuk më leverdis shumë, se po ta llogarish, dy mijë lekë dita më bie. Me dy mijë lekë të vjetra, dy bukë blen. Por nga halli, do e bëjmë punën patjetër.”

Pëllumbi tregon se më së shumti përfitime kanë tregtarët që i shesin produktet e zanatçnjive si puna e tij. Ai tregon se ‘në xhade’ bëhet tregtia, e kanistrat e prodhuara nga duart e tij shiten tek turistët e huaj në veçanti edhe 20 euro apo më shumë.

“Nëse unë një kosh e shes 1 mijë lekë të reja, tregtari e shet 20 euro. Se atje në xhade bëhet tregti.”-thotë Pëllumbi.