Rrëfimi prekës i shqiptarit, mban në ndërgjegje vdekjen e 5 të rinjve… pa patur asnjë faj

 Rrëfimi prekës i shqiptarit, mban në ndërgjegje vdekjen e 5 të rinjve… pa patur asnjë faj

Fonte: ANSA/SIMONE VENEZIA

“Makina e atyre të rinjve ishte si vetëtimë, po ecte me të paktën 150 km/h në atë moment”

Për këtë është i sigurt Vangjel Tuslluku, shoferi 58 vjeçar i një autobusi, i cili u përplas të dielën në mbrëmje me një makinë Volkswagen Polo, ku ndodheshin 5 të rinj, kushërinj e të afërm mes tyre.

Të rinjtë u identifikuan si Imad e Nadiq Salah, Imad El Harram, Dennis Guerra dhe Irene Sala, më e vogla, vetëm 17 vjeçe. Të gjithë këta të rinj gjetën vdekjen në autostradën 45bis, në një prej ngjarjeve më tronditëse të kohëve të fundit në Itali.

58 vjeçari shqiptar, drejtuesi i autobusit, tregoi për gazetën e Breshias mbi momentin e përplasjes.

“Ishte një impakt shumë i fortë. Pashë një dritë që vinte në korsinë time, fillimisht mendova mos ishte ndonjë motorr. Brenda momentit, përpara më del një makinë e më pas ndjeva një goditje të fuqishme. Më goditi (makina) e menjëherë u thye xhami, nuk mund të shihja më asgjë. Në atë moment kam hyrë në korsinë e kundërt, humba kontrolli… autobusi nuk po frenonte më dhe timoni u bë shumë i fortë. Automjeti po ecte përpara, ndërsa unë vijoja të dëgjoja një zhurmë të frikshme. Isha i bindur se po godisja automjete të tjera”-tregoi shoferi shqiptar.

Siç shkruan media italiane, autobusi kishte ndaluar, duke u përplasur me një prej mbajtësve në aksin rrugor.

Ndërkohë në makinën ‘Polo’, të gjithë humbën jetën në vend. Asnjë prej tyre nuk kishte patentë, madje as i riu që po drejtonte makinën. 58 vjeçari, i cili ka 30 vite që jeton në Itali, sapo kishte përfunduar punën dhe po mbyllte turnin. Tuslluku, vetë prind i një vajze të mitur, tregoi për median se ende është i tronditur.

“Ndjej dhimbje e mezi më zë gjumi natën… vijon të më kujtohet aksidenti. Nuk e di se kur do të kthehem të drejtoj makinë sërish. Nuk kam përjetuar kurrë një situatë të tillë. 5 të rinj u shuan. Nuk kam asnjë faj, por kam një peshë të madhe në ndërgjegje”-tregoi 58 vjeçari.