Shikoni sesi një veprim sjell katastrofën, ‘piromani’ kapet në kamera duke ndezur zjarrin

 Shikoni sesi një veprim sjell katastrofën, ‘piromani’ kapet në kamera duke ndezur zjarrin

Në shumë shtete të globit, dy muajt e fundit kanë qenë një betejë e përditshme me flakët. Në Europë, Turqia, Greqia, Italia, Shqipëria etj, janë përballur me dhjetëra vatra zjarri. Në SHBA zjarret në Kaliforni kanë djegur sipërfaqe të paimagjinueshme toke e pyjesh e mijëra banesa.

E teksa shkenca e studiuesit flasin për pasojat e rënda që po sjell ngrohja globale, në vëmendje të gjithkujt mbetet fakti se shumë zjarre, nuk vijnë nga ‘lart’, por nga dora e individit.

Në Shqipërinë tonë, që nga 25 korriku e deri më sot, janë arrestuar 15 persona, të cilët dyshohet se janë bërë shkas i zjarreve apo në rastin më të keq, i kanë ndezur qëllimisht ato.

Në Shqipëri shumë vatra zjarri kanë rrezikuar jetët e shumë qytetarëve (veçanërisht në fshatrat e Gjirokastrës). Pak ditë më parë një 64 vjeçar humbi jetën në tentativë për të shuar flakët pranë shtëpisë së tij.

Për të mos folur për dëmet në toka, bimësi apo pyjet e shkrumbuara. Ende nuk ka një bilanc të qartë për dëmet e shkaktuara nga zjarret në Shqipëri, por dëmi llogaritet në qindra hektarë të djegura përgjatë gjithë territorit të republikës.

Sërish në mendje të shkon dora e njeriut, njëlloj si ky rast i mëposhtëm, i filmuar nga kamerat. Një burrë që ulet dhe ndez me çakmakun e tij barishtet aty pranë. Një veprim krejt i vogël. I qëllimshëm. I papërgjegjshëm. Pas pak minutash, zjarri i vogël që u ndez nga dora e ‘piromanit’ merr përmasa serioze.

Pamjet janë filmuar nga një kamera e fshehtë e policisë në provincën e Beneventos dhe personi që vë zjarrin është arrestuar. Në median Italiane video është shpërndarë me shpejtësi, për të treguar në opinionin publik, sesa e kollajtë është që një zjarr i vogël, mund të përkthehet në një vatër që rrezikon jo vetëm tokën, bimësinë, pyjet, por edhe jetët e njerëzve.