“Shpirti i tij e di” Librazhd, banori rrëfen si u gjet me gjymtyrë të ngrirë një emigrant 22 vjeçar

 “Shpirti i tij e di” Librazhd, banori rrëfen si u gjet me gjymtyrë të ngrirë një emigrant 22 vjeçar

Një emigrant është gjetur thuajse i ngrirë në fshatin Dragostunjë të Librazhdit. Kanë qenë hoxha dhe banorët e zonës të cilët e kanë gjetur të riun, i cili ndodhej pranë oborrit të xhamisë së fshatit.

Me të konstatuar gjendjen e tij të rëndë shëndetësore, banorët kanë lajmëruar menjëherë autoritetet. Një ambulancë ka mbërritur dhe e ka marrë të riun, duke e dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit.

Një prej banorëve tregoi për median se çfarë dinte për rastin.

“Ne morëm policinë, thirrëm ambulancën. Ata thanë se i ishin kalbur këmbët, ai nuk e di nga kish ardh, por ata thanë se ka ardh në këmbë nga Maqedonia, s’di të them, vetëm shpirti i tij e di.  Unë më gjatë nuk di, por di t’ju them se ambulanca u lajmërua dhe ai u dërgua në spital.”-tregoi banori.

Pas trajtimit në spitalin e Librazhdit, i riu është transportuar drejt Tiranës për kujdes më të specializuar, pasi këmbët e tij kanë pësuar dëmtime serioze prej të ftohtit.

Me stabilizimin e gjendjes së tij, marokeni ka deklaruar se prej 4 ditësh udhëtonte mes maleve nga Maqedonia e Veriut drejt Librazhdit. Aktualisht i riu ndodhet nën kujdesin e mjekëve në repartin e djegie plastikës nën trajtim për plagët që i ka shkaktuar i ftohti.