Sot me nota të dobëta, nesër mësues në Shqipëri! Çfarë thonë pedagogët në ditën e gjuhës amtare

 Sot me nota të dobëta, nesër mësues në Shqipëri! Çfarë thonë pedagogët në ditën e gjuhës amtare

21 shkurti është dita ku vendet e botës “kujtojnë” gjuhën e tyre amtare. E në këtë ditë që shenjohet në nder e kujtim të gjuhëve kudo në botë, është e vlefshme të vëmë në dukje një fenomen shqetësues, që prej disa vitesh duket se është kthyer në “normalitet” në Shqipëri.

Fakti është se në shumicën dërrmuese të rasteve, ata nxënës që zgjedhin të studiojnë mësuesinë, rezultojnë që të kenë nota të dobëta. Prej vitesh dega e mësuesisë në Shqipëri është në krizë, e këtë fakt e pohojnë dhe pedagogët, teksa vënë në dukje se nxënësit që vijnë në auditoret e tyre, në tërësi janë të nivelit nën mesatar.

I njëjti fenomen duket edhe në degën e gjuhës e letërsisë, në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë. Edhe këtu pedagogët tregojnë se rreth 20% e nxënësve shfaqin interes në studim.

“6-7-8-ta, janë notat e brumit të maturantëve që vijnë tek ne, ndërkohë që duhet të vinin 9 apo 10… Nuk mund të zgjedhësh një profesion vetëm me dashurinë për profesionin, pa menduar edhe me mënyrën sesi ky profesion të siguron jetesën.”-tregoi pedagogu Shezai Rrokaj në prononcim për A2cnn.

“Vihet re një cilësi më e dobët e studentëve që vijnë për të ndjekur degën e mësuesisë. Mund të ketë shumë shkaqe, shumë arsye… duhet të këmbëngulim pak më shumë që nxënësit e këtij arsimi të shkathtësohen në anën praktike, pasi anën teorike do të merret dija në universitet.”-tregon pedagogia e gjuhësisë Lindita Latifi.

Pedagogët gjykojnë se një zgjidhje e këtij fenomeni do të ishte rritja e notës mesatare për të hyrë në mesuesi si dhe rishikimi i programeve arsimore.

Një tjetër problematikë mbetet dhe mbrotja e shqipes nga përdorimi i fjalëve të huaja.

“Shqipja gjendet përballë një trysnie shumë të madhe që nuk ka filluar sot por ka filluar veçanërisht që nga vitet ’90. P.sh brezi i ri nuk ka pse përdor huazime fjala bie kur kërkon në google mund të thotë kërkoj dhe jo gugëlloj sepse kur ka futur foljen në një huazim i ka futur kancer gjuhës. Nga ana tjetër ajo qe është me serioze është trajtimi i gjuhës në nivel universitar dhe parauniversitar.”-tha pedagogia Albana Ndoja

“Shkolla ka pjesën e saj të problematikës, që nga hartimi i teksteve, mënyra si hartohen ato… Lënda e gjuhës shqipe duhet të na mësojë shqipen si gjuhë në fillim, pastaj të na mësojë konceptet. Unë them që problemi më i madh që ka gjuha është problemi kulturologjik , ne duhet të lexojmë më shumë, duhet të kemi pasion për librin dhe duhet të kemi një mësues të mirë”-shtoi pedagogu Shezai Rrokaj