Taksisti hero bllokon kamikazin të hyjë në maternitet, momenti kur makina shpërthen në flakë

 Taksisti hero bllokon kamikazin të hyjë në maternitet, momenti kur makina shpërthen në flakë

Këto janë momentet kur një taksist në Liverpul arrin t’i shpëtojë mrekullisht shpërthimit të makinës së tij, teksa pasagjeri me të cilin udhëtonte hedh veten në erë.

Ngjarja e frikshme ndodhi dje në Liverpul (Angli), ndërsa këtë të hënë media e huaj publikoi pamjet e shpërthimit të makinës së taksistit, i identifikuar si Dejvid Perri.

Siç raportojnë mediat britanike, taksisti kishte kuptuar se diçka nuk shkonte me burrin, ndërsa ky i fundit kishte në trup një pajisje e i dukeshin disa drita, siç shpjeguan disa prej miqve që kishin folur me taksistin. 

Burri i kishte kërkuar të shkonin tek materniteti atje ku po mbahej një memorial me disa qindra njerëz, por teksa rrugët ishin të bllokuara, ky i fundit kishte ndërruar mendje dhe i kishte thënë të shkonin në qendër. Me t’u afruar tek materniteti, burri i ka thënë të ndalonte aty taksistit.

Pikërisht në këtë moment taksisti ka vendosur të mbyllë dyert e makinës, por pak para se të dalë nga automjeti e të lërë brenda të dyshuarin, ky i fundit ka aktivizuar eksplozivin. Mrekullisht taksisti arrin të dalë nga makina e cila përfshihet nga flakët pak momente më tutje.

Një mik i taksistit tregoi: Dejvid kishte vënë re se burri kishte disa si drita të lidhur me rrobat e tij dhe se ai po i shtypte e merrej me to. I është dukur si diçka jo normale. Ata nuk mund të shkonin atje (në Katedrale) sepse rruga ishte e bllokuar. Burri më pas ka ndryshuar mendjen dhe i ka kërkuar të shkojnë në qendër. Kur ishin afër spitalit (maternitetit) ai i ka kërkuar të ndalojnë atje. Nëse ai njeri do të kishte hyrë në spital, një Zot e di se çfarë do të kishte ndodhur.

Kryeministri i Britanisë reagoi në lidhje me  çështjen duke thënë se taksisti ka vepruar me trimëri, ndërsa kryebashkiakja e Liverpulit Joanne Anderson tha “Taksisti hero ka arritur të shmangë një tragjedi”. Autoritetet kanë nisur hetimet mbi rastin dhe ditën e djeshme kanë arrestuar tre të rinj, të cilët mendohet të kenë lidhje me ngjarjen.

Kët të hënë shefi i sektorit të kundërterrorizmit në North West Russ Jackosn, tregoi se motivacioni i autorit mbetet ende i paqartë. Ai u tha gazetarëve se taksia e mori autorin afro 10 minuta larg maternitetit.

“Autori kishte kërkuar të dërgohej në spitalin e grave në Liverpul, i cili ishte afro 10 minuta larg. Teksa taksia iu afrua spitalit, një shpërthim ndodhi brenda makinës, e cila më tutje u përfshi nga flakët… ne jemi në dijeni të aktivitetit në katedrale e cila në distancë nuk është larg. Momentalisht nuk mund të lidhim ngjarjen me mbledhjen atje (në katedrale), por është një pistë hetimi që po e ndjekim”