“Tani është më e qetë” Rrëfimi i babait të Ëmblës, pasi vajza me sindromin Down u rikthye në klasë

 “Tani është më e qetë” Rrëfimi i babait të Ëmblës, pasi vajza me sindromin Down u rikthye në klasë

Shumëkush u revoltua kur mësoi mbi rrëfimin e një babai, për vajzën e tij e cila është me sindromin Down.

Ilir Ademi tregoi disa ditë më parë për median se vajza e tij nuk do të lejohej të ndiqte mësimin si të gjithë fëmijët e tjerë, pas një peticioni të bërë nga disa prej prindërve të nxënësve, të cilët gjykonin se prezenca e Ëmblës do të pengonte fëmijët.

Rrëfimi i këtij babai, shqiptar i Gostivarit, eventualisht do të sillte dhe reagimin e instancave shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Ditën e djeshme Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski, shkoi personalisht për të dërguar në shkollë Ëmblën.

Tashmë vajza e Ilirit, Ëmbla, do të mund të mësojë e të qëndrojë në një klasë, duke i dhënë fund pretendimeve për ta trajtuar vajzën ndryshe nga fëmijët e tjerë.

Babai i vogëlushes, u shpreh mbrëmjen e djeshme për Klan Kosova, se tashmë vajza është më e qetë.

“Pati një pozitivitet të madh vizita e presidentit, ai e përcolli Ëmblën deri në shkollë, ishte një vizitë miqësore, me kënaqësi të madhe edhe Ëmbla e pranoi vizitën e tij.

Ëmbla është fëmijë dhe jemi munduar që ajo ta tejkalojë e të mos e kuptojë se çka po ndodh, por ajo e di se diçka po ndodh. Për dallim nga koha kur ishte e vetmuar në një sallë, në e dinim reagimin e saj që nuk i ka pëlqyer, ndërsa tani është e kënaqur. Ne nuk kemi komunikim brenda në shkollë, asistentja e dërgon në klasë dhe ajo thotë se është në klasë, aty ku duhet të jetë. Tani ajo është pak më e qetësuar”, tha babai i vogëlushes.

Më tutje, Ademi sqaroi opinionin në lidhje edhe me një keqkuptim.

“Kishte një reagim kryetari i komunës, në atë kohë kur ishte edhe presidenti në vizitë, kështu që në pamundësi që të shkojmë në komunë që të takohemi, ai doli me një reagim dhe përfshiu Ëmblën me një tjetër katrahurë të vazhdueshme. E përfshiu si fëmijë edhe me autizëm, që nuk është e vërtetë. Kundërreagimi ynë ishte i menjëhershëm pasi që e dëgjuan reagimin e kryetarit të komunës. Që nga lindja e deri në ditën e sotme, asnjë instancë apo ent shëndetësor nuk konstatohet se Ëmbla është e prekur edhe nga autizmi”, u shpreh ai.