Nga paraliza tek ndjesia e të qenit baba! Historia inspiruese e të riut, që nuk eci dot për vite me radhë

 Nga paraliza tek ndjesia e të qenit baba! Historia inspiruese e të riut, që nuk eci dot për vite me radhë

David M’zee ishte veçse 22 vjeçar kur një aksident i mori aftësinë për të ecur, 12 vite më parë. Davidi mori dëmtime serioze në shtyllën kurrizore. S’mund të lëvizte më gjymtyrët e poshtëm e nuk do të kishte kurrë fatin të bëhej baba.

Por pak vite më parë, ai u bë një ndër njerëzit që vendosi një implant elektrik në shtyllën e tij kurrizore, e cila i risolli aftësinë për të qëndruar në këmbë. Sinjalet nervore në këmbët e tij u forcuan dhe ai nisi të ecë, me ndihmën e pajisjes teknologjike.

E falë kësaj pajisje, ai pati fatin e madh që të bëhej baba me një vajzë të vogël, një lumturi që mendonte se kurrë nuk do ta përjetonte.

“Është një ndjesi e bukur, veçanërisht kur eci me vajzën…”,tregon 34 vjeçari.

Por ende shkenca nuk ka shkuar deri aty sa të bëjë të mundur që Davidi të jetë kuruar plotësisht. Paisja që e çon në këmbë të riun përdoret për periudha të shkurtra, në mënyrë që 34 vjeçari të ushtrojë këmbët.

“Nuk po e përdor paisjen si një protezë neurologjike, por si një vegël për ushtrim, të paktën deri tani. Kam shpresën se shkenca ecën përpara dhe unë mund ta përdor këtë mundësi (protezën) për përditshmërinë”, shtoi Davidi.

“Kjo nuk është kura për njerëzit me dëmtime në shtyllën kurrizore, por është një hap kritik për të përmirësuar jetën e tyre. Nuk është ende mjaftueshëm, por është një përmirësim i madh për të ardhmen.”-shpjegoi doktor Gregoire Courtine, nga Ecole Polytechnique.

Prej vitesh tashmë shkenca po përpiqet që të gjejë një zgjidhje për ata miliona njerëz që për shkak të një aksidenti a gjetkë, janë të detyruar ta kalojnë jetën në një karrige me rrota. Shumë avancime janë kryer në terapi, vendosjen e protezave neurologjike apo krijimin e ekzoskeletëve, që në dekadat e ardhshme, fjalët “nuk eci dot” apo “jam i paralizuar”, të jenë pjesë e të shkuarës.