Të moshuar që mbyllin sytë të vetmuar, ‘fenomeni’ i trishtë që prek fshatrat e Shqipërisë

 Të moshuar që mbyllin sytë të vetmuar, ‘fenomeni’ i trishtë që prek fshatrat e Shqipërisë

Në 20 ditët e fundit të këtij viti, në një fshat të vogël të Sarandës ndërruan jetë tre të moshuar. Ikja nga kjo botë është një fat që na pret të gjithëve, por këta të moshuar mbyllën sytë të vetmuar, pa patur mundësinë për të parë të dashurit e tyre.

Fëmijët i kanë në emigracion. U gjetën të pajetë nga fqinjët apo të afërmit e mbetur.

Si rasti i një 80 vjeçari, i cili mbylli sytë dhe u largua nga kjo botë i vetëm, në shtëpinë e tij. Fqinja tregoi për median se fëmijët i janë larguar në Greqi dhe bënë shumëçka për ta marrë të jetojë me ta.

“E mori djali e shpuri në azil. Ai iku, nuk pranoi të qëndronte. Erdhi këtu sërish. S’bëri një javë dhe vdiq. Të moshuarit nuk duan të lënë shtëpitë, është mosha e tillë. Tani këtu pleqëri ka, të rinj shumë të paktë janë”tregoi e moshuara.

Fshati Çukë është një fshat i vogël i Sarandës, por si shumë fshatra të tjerë në Shqipëri, ndodh që të moshuarit të mbeten të vetëm, ndërsa rinia largohet rëndom jashtë shtetit për një të ardhme më të mirë.

Të moshuarit shpesh nuk pranojnë të largohen. “Guri i rëndë në vend të vet” thotë shprehja, por duket se nuk janë të paktë të moshuarit që largohet nga kjo botë, pa qenë në praninë e më të dashurve, fëmijëve.