Temperaturat ekstreme ‘lëshojnë’ territorin e Shqipërisë përgjatë fundjavës

 Temperaturat ekstreme ‘lëshojnë’ territorin e Shqipërisë përgjatë fundjavës

Pas një jave të nxehtë me temperatura deri në 41 gradë celcius, i nxehti afrikan duket se do të ‘lëshojë’ territorin e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Sipas meteorologëve, temperaturat në fundjavë do të zbresin me disa gradë dhe nuk do t’i kalojnë shifrat 34- 35 gradë celcius. Në zonat malore të vendit do të ketë një zbritje më të konsiderueshme të temperaturave, veçanërisht gjatë natës dhe mëngjesit.

“Vendi ynë do të ketë një mbizotërim të motit të kthjellët, ndërsa në zonat veriore dhe verilindore do të ketë ndonjë rrebesh afatshkurtër.  Gjatë fundjavës presim mot të kthjellët dhe vranësira kalimtare dhe reshjet do të jenë shumë pak prezentë në vendin tonë.

Sot kemi patur një rënie me 3 gradë dhe gjithashtu mesdita do të sjellë një rënie ku termometri do të shkojë në 35-36 gradë në rang vendi. Një tjetër rënie temperaturash pritet dhe në fundjavë ku termometri në mëngjes do të shënojë 12 gradë në zonat malore dhe në mesditë jo më shumë se 34-35 gradë”, shpjegoi meteorologia Adiola Bami.