Tiranë, besimtarët muslimanë ndalojnë një person që tentoi të vetëdigjet në shesh

 Tiranë, besimtarët muslimanë ndalojnë një person që tentoi të vetëdigjet në shesh

Një incident ka ndodhur këtë mëngjes gjatë ceremonisë së faljes së Namazit të Bajramit në sheshin “Skënderbej”, teksa një person në gjendje të rënduar psikike ka tentuar t’i japë fund jetës së tij duke u vetëdjegur me benzinë.

Ky i fundit është ndaluar nga besimtarët muslimanë, të cilët kanë tentuar ta qetësojnë personin që u fut në mes të turmës së njerëzve duke bërtitur “nuk ka Zot, duhet me ik nga kjo jetë”. Pas disa momenteve, ai është bllokuar nga disa besimtarë muslimanë dhe i janë hequr rrobat e lyera në benzinë.

Më tutje kanë mbërritur oficerë të policisë të cilët kanë arrestuar burrin dhe e kanë larguar nga sheshi “Skënderbej”.

Njoftimi i policisë:

Më datë 13.05.2021, rreth orës 07:05, në sheshin “Skenderbej” shtetasi B. G., rreth 40 vjeç, ishte lyer me benzine dhe dyshohet se kishte qëllim të vetëdigjet, por është ndaluar nga disa qytetarë aty në afërsi.

40-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.1. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.